Presidenti amerikan Donald Trump ka vlerësuar sërish presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, duke e cilësuar si një “njeri shumë të fuqishëm dhe të zgjuar”, gjatë një konference për shtyp me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë.
Gjatë deklaratës për mediat, Trump theksoi rëndësinë e rolit të Turqisë në Siri dhe marrëdhëniet personale që ka me liderin turk. “Kam marrëdhënie shumë të mira me një njeri të quajtur Erdoğan. E di që media zemërohet që më pëlqen, por më pëlqen dhe ai më pëlqen mua. Nuk kemi pasur asnjë problem,” tha Trump.
Duke komentuar situatën në Siri, Trump u shpreh: “Erdoğan ka bërë diçka që askush tjetër nuk ka mundur ta bëjë. Duhet t’i jepet merita. Ai është i fuqishëm dhe i zgjuar.”
Në reagim ndaj deklaratave të Netanyahu-t, i cili përmendi disa mosmarrëveshje me Turqinë në lidhje me Sirinë, Trump u shpreh optimist: “Mendoj se mund të zgjidh çdo problem që mund të keni me Turqinë, për sa kohë që jeni të arsyeshëm – si ne.”
Presidenti amerikan përmbylli deklaratën duke përsëritur: “Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Turqinë dhe liderin e saj. Nuk mendoj se kjo do të jetë një çështje problematike.” /mesazhi