Trump: Emiratet e Bashkuara Arabe dëshirojnë të blejnë avionë F-35

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump deklaroi se Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë shprehur dëshirë për të blerë avionët luftarakë F-35 dhe se Washingtoni zyrtar është duke e shqyrtuar këtë çështje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Trump komentoi temat aktuale dhe tha se EBA është një vend i cili padyshim që ka para për të paguar për avionët luftarakë amerikanë F-35.

“Kjo është një gjë e mirë sepse ju e dini që me disa vende bëjmë kontrata dhe në fund ata nuk kanë para për të paguar për mallrat që ne u dorëzojmë atyre”, tha Trump.

Duke potencuar se në bisedë me pilotët amerikanë ka mësuar se F-35 kanë avantazh të madh pasi që janë të padukshëm në radarë, Trump tha se pilotët duken më mirë se aktori Tom Cruise i cili ka aktruar në filma luftarakë dhe aksione.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë në fund në lidhje me dëshirën e EBA-së për të blerë avionët F-35. Jemi duke konsideruar këtë çështje dhe ata me siguri ndihmuan në ndërtimin e paqes në Lindjen e Mesme”, tha Trump.

Duke komentuar marrëveshjen e arritur kohët e fundit për normalizimin e marrëdhënieve midis EBA-së dhe Izraelit, Trump tha se shumë vende janë duke përshpejtuar veprimet për të arritur një marrëveshje të tillë dhe se në fund edhe Irani do të bëjë të njëjtën gjë dhe se në Lindjen e Mesme do të vendoset paqja.

Trump të enjten do të takohet me kryeministrin e Irakut, Mustafa Al-Kadhimi, ndërsa gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë u tha se SHBA tashmë ka tërhequr shumicën e trupave nga Iraku.

“Ne po dalim nga këto luftëra të pakuptimta dhe të pafundme. Në fakt, ne kurrë nuk është dashur të hymë në to. Mendoj se dërgimi i ushtrisë në ato rajone ishte gabimi më i madh historik i SHBA-ve. Ne nuk është dashur të ishim fare në Lindjen e Mesme”, tha Trump.

Duke theksuar se SHBA ka tërhequr trupat nga rajone të krizave si Siria dhe Afganistani, Trump shtoi se ka patur shumë komente pas vendimit për tërheqjen e ushtrisë amerikane nga zona kufitare Siri-Turqi.

“Të gjithë thanë se kjo është e tmerrshme, por Turqia me siguri mund të kryejë punën e saj vet. Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me presidentin, Recep Tayyip Erdoğan”, theksoi Trump.

Ai gjithashtu tha se të gjithë paralajmëronin për një katastrofë pas tërheqjes së ushtrisë amerikane nga Siria, por se katastrofa padyshim që nuk ndodhi.