Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi sot se katër këshilltarë kyç nga fushata e tij presidenciale do të marrin role të larta në administratën e tij të ardhshme, transmeton Anadolu.
Trump njoftoi se Dan Scavino do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë si asistent i presidentit dhe zëvendësshef i kabinetit; Stephen Miller do të shërbejë si asistent i presidentit dhe zëvendësshef i kabinetit për politikën dhe si Këshilltar për Sigurinë Kombëtare; James Blair do të marrë rolin e asistentit të presidentit dhe zëvendësshefit të kabinetit për çështjet legjislative, politike dhe publike dhe Taylor Budowich do të jetë asistent i presidentit dhe zëvendësshef i kabinetit për komunikim dhe personel.
“Dan, Stephen, James dhe Taylor ishin këshilltarët më të mirë në klasë në fushatën time fituese dhe e di se ata do t’i shërbejnë me nder popullit amerikan në Shtëpinë e Bardhë”, tha Trump në një deklaratë.
“Ata do të vazhdojnë të punojnë shumë për ta bërë Amerikën përsëri të madhe në rolet e tyre të reja”, shtoi ai.
Trump fitoi zgjedhjet e 5 nëntorit duke siguruar 312 vota elektorale, duke mundur kundërshtaren e tij demokrate, nënpresidenten Kamala Harris.