Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump kritikoi vendimin e presidentit Joe Biden për ndryshimin e dënimeve të 37 të burgosurve të dënuar me vdekje në burgim të përjetshëm dhe tha se ai do të vazhdojë të zbatojë me vendosmëri dënimin me vdekje, transmeton Anadolu.
Trump reagoi ndaj vendimit të Bidenit për të zbutur dënimet e disa të burgosurve të dënuar me vdekje.
Në deklaratën e tij në platformën e rrjeteve sociale “Truth Social”, Trump deklaroi se ishte e papranueshme që Biden t’i ndryshonte dënimet e 37 të burgosurve të dënuar me vdekje në burgim të përjetshëm dhe mbrojti idenë se kjo ishte mungesë respekti për familjet e viktimave.
“Joe Biden ua ndryshoi dënimet me vdekje 37 vrasësve më të këqij të vendit tonë. Kur të dëgjoni për krimet e kryera nga secili prej tyre, nuk do ta besoni se si e mori këtë vendim. Ky është një vendim i pakuptimtë. Familjarët dhe miqtë e viktimave janë edhe më të prekur. Ata nuk mund të besojnë se kjo po ndodh”, tha Trump.
Ai tha do të vazhdojë me vendosmëri praktikat federale të dënimit me vdekje kur të marrë detyrën presidenciale.
Me deklaratën e tij të një dite më parë presidenti amerikan Biden ua ndryshoi dënimet 37 nga 40 të burgosurve federalë të dënuar me vdekje në burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht.
Biden tha se është kundër zbatimit të dënimeve me vdekje. “Ndërgjegjja ime nuk e lejon që një administratë e re të rifillojë dënimet me vdekje që unë i ndalova”, tha ai.
Presidenti amerikan ka deklaruar se ishte kundër dënimeve me vdekje për të burgosurit federalë dhe në vitin 2021 ai ka shpallur një moratorium për të ndaluar përkohësisht këto dënime.
Trump gjatë fushatës zgjedhore ka thënë se trafikantët e drogës dhe njerëzve duhet të dënohen me vdekje.