Trump diskutimin me kryeministrin kanadez e quan “jashtëzakonisht produktiv”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka përshkruar bisedën telefonike të tij me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, si “jashtëzakonisht produktiv”, duke njoftuar se ata ranë dakord të takohen pas zgjedhjeve të ardhshme në Kanada për të diskutuar çështjet kyçe, transmeton Anadolu.

“Sapo mbarova bisedën me kryeministrin Mark Carney, të Kanadasë. Ishte një bisedë jashtëzakonisht produktive, ne jemi dakord për shumë gjëra dhe do të takohemi menjëherë pas zgjedhjeve të ardhshme të Kanadasë për të punuar mbi elementet e politikës, biznesit dhe të gjithë faktorëve të tjerë”, shkroi Trump në platformën ‘Truth Social’.

Trump theksoi se diskutimet “do të përfundojë të shkëlqyera si për SHBA-në ashtu edhe për Kanadanë”.

“Faleminderit për vëmendjen tuaj për këtë çështje”, shtoi ai.

Trump tha se do të vendosë 25 për qind tarifa për makinat dhe pjesët e makinave që importohen në SHBA. Dje, këtë e ndoqi me një paralajmërim se nëse Kanadaja dhe BE-ja hakmerren, ai do të kundërpërgjigjet me një raund tjetër tarifash më të larta.

Si përgjigje, Carney dje pezulloi fushatën e tij zgjedhore për t’u takuar me komitetin e kabinetit të marrëdhënieve Kanada-SHBA për të formuluar një përgjigje ndaj tarifave 25 për qind të shpallura për makinat e huaja që hyjnë në SHBA.

Tarifa hyn në fuqi për makinat më 2 prill dhe për pjesët e makinave më vonë në muajin maj, ndërsa Kanadaja është një nga vendet e shënjestruara në mënyrë specifike nga politikat tregtare të presidentit amerikan.

Më herët, ai njoftoi 25 për qind tarifa ndaj mallrave kanadeze, ndër masa të tjera, por i shtyu ato tarifa deri më 2 prill.