Trump dhe Netanyahu diskutojnë për dëbimin e palestinezëve nga Gaza

Takimi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu nuk përfundoi me asnjë deklaratë konkrete – as për tarifat tregtare, as për Iranin dhe as për armëpushimin në Gaza apo marrëveshjen për lirimin e pengjeve izraelite, raporton Aljazeera.

Kjo heshtje pritet të shkaktojë shumë reagime brenda në Izrael, ku tensionet janë të larta.

Por pjesa më shqetësuese e këtij takimi ishte diskutimi mes Trump dhe Netanyahu për mundësinë e dëbimit të palestinezëve nga Gaza. Trump shprehu habinë pse Izraeli kishte “dorëzuar” Gazën në të kaluarën – një deklaratë që bie ndesh me mendimin e shumë juristëve ndërkombëtarë. Ai madje sugjeroi që do të ishte ide e mirë nëse SHBA do të merrte kontrollin e Gazës.

Nga ana e tij, Netanyahu përmendi se ka zhvilluar biseda me udhëheqës të disa vendeve që, sipas tij, do të ishin të gatshme të pranonin palestinezët – nëse këta do të kishin lirinë të zgjidhnin ku të shkonin.

Megjithatë, është e qartë se shumica e palestinezëve nuk duan të largohen nga Gaza; ata duan që lufta të ndalojë. Juristët ndërkombëtarë e kanë quajtur tashmë këtë plan si një formë të spastrimit etnik. /mesazhi