Presidenti amerikan, Donald Trump, të premten realizoi një bisedë telefonike me mbretin Salman të Arabisë Saudite, lidhur me përpjekjet për t’i dhënë fund problemit me Katarin, raporton Anadolu Agency (AA).
“Trump, i cili më parë e quajti Katarin një mbështetës të terrorizmit në një nivel shumë të lartë, i ka theksuar Salmanit nevojën për të shkurtuar të gjitha fondet për terrorizëm dhe diskreditimin e ideologjisë ekstremiste”, njofton Shtëpia e Bardhë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, kohët e fundit përfundoi një vizitë në rajon, në të cilën kërkoi të zbuten tensionet e krijuara që kur Riadi ndërmori një aksion diplomatik bashkë me shtetet e koalicionit për të izoluar Katarin.
Që nga 5 qershori, Doha i është nënshtruar një bllokade tokësore, detare dhe ajrore të vendosur nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Bahreini dhe Jemeni, të cilët akuzojnë Katarin për “mbështetjen e terrorizmit.”
Katari i mohon akuzat.