Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se bisedimet indirekte me Iranin, të mbajtura në Oman, “po ecin mirë”. Gjatë një deklarate për gazetarët në bordin e Air Force One, ai u shpreh:
“Besoj se po ecin mirë. Asgjë nuk ka rëndësi derisa të përfundohet, ndaj nuk më pëlqen të flas shumë për to. Por, po, mendoj se situata me Iranin po shkon mirë.”
Trump ka kërcënuar disa herë me veprim ushtarak nëse Irani nuk pranon të hyjë në bisedime për programin e tij bërthamor, i cili nga aleati i tij, Izraeli, shihet si një kërcënim ekzistencial.
SHBA dhe Izraeli kanë lënë të kuptohet se, në rast të dështimit të negociatave, objektiva të mundshëm për sulme do të jenë objektet kryesore bërthamore të Iranit, rafineritë dhe infrastrukturat civile si termocentralet.
Trump, i cili gjatë mandatit të tij të parë e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Iranin, kërkon që Teherani të bëjë më shumë lëshime këtë herë – përfshirë ndalimin e financimit të grupeve të armatosura aleate në Lindjen e Mesme.
Disa nga këto grupe, që kanë ndërhyrë në luftën në Gaza në shenjë solidariteti me palestinezët, janë dobësuar nga sulmet hakmarrëse izraelite.