Ballina Autorë Opinione Trollët fasikë të rrjeteve sociale

Trollët fasikë të rrjeteve sociale

Hoxhë Justinian Topulli

Nuk ka njeri që thotë të vërtetën dhe të drejtën në këtë botë dhe të mos përballet me kundërshtarë dhe të mos bëjë armiq. Shembulli më evident për këtë, është vetë jeta e mbarë profetëve.
Sigurisht edhe njerëz të tjerë, mes tyre edhe të ligjtë, do të përballen me këtë fenomen njerëzor që është sprovë për të gjithë, por të drejtët dhe të vërtetët janë ata që i përjetojnë ndryshe shpifjen, trillimet, akuzat dhe baltosjen e padrejtë.
Ajo që të dhemb më shumë nuk është vetë akuza dhe shpifja që shpesh zhurmuesit anonimë, të pafytyrë e të pamoralshëm bëjnë, pasi këta njerëz tinëzarë dhe burracakë, që hedhin gurin dhe fshehin dorën, i kanë vënë si qëllim vetes të sulmojnë pa u diktuar, që të mos marrin mbrapsht koston e sulmit të tyre, por ajo që të vjen vërtet keq, është niveli mjeran i atyre që iu besojnë këtyre anonimëve që vjellin vrer pa doganë.
Allahu na urdhëron në Kuran dhe na thotë: “O ju që keni besuar! Nëse ndonjë ‘fasik’ ju sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, në mënyrë që të mos e lëndoni ndonjë njeri pa dashje e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.” (el-Huxhurat: 6)
Fjala që ka përdorur Allahu në Kuran për këtë njeri është “fasik” فاسق, që në gjuhën arabe nënkupton një njeri, i cili ka dalë jashtë normave të bindjes ndaj Zotit, apo atyre morale. Ndërsa në terminologjinë islame “fasik” është ai që kryen një gjynah të madh, ose nuk heq dorë nga një gjynah i vogël dhe nuk pendohet.
Për të tillë njerëz, Zoti ka thënë se nuk u duhet besuar lajmi që ata thonë, sepse ata janë të dyshimtë, pasi është e mundur që njerëz të tillë të mos e kenë problem të gënjejnë, trillojnë apo shpifin, qoftë edhe duke i shtuar një lajmi të vërtetë, të pavërteta të tjera.
Ndërkohë, gënjeshtra, shpifja, mashtrimi, trillimi, akuzat përmes aludimeve të dobëta dhe paraqitja e tyre si të vërteta faktike, hyjnë tek gjynahet e mëdha.
Kështu që ata që provohen, qoftë edhe një herë, se gënjejnë dhe trillojnë, qoftë edhe duke hamendësuar apo shtuar të pavërteta, janë akoma edhe më të pabesueshëm në ato që thonë.
Pikërisht për këtë arsye, dijetarët islamë që herët nuk pranonin dëshminë e çdo njeriu dhe as transmetimin e tij, derisa për të të provohej dhe dëshmohej se nuk ishte fasik.
Nisur nga ky rregull, një njeri i panjohur, një anonim, mbetet subjekt dyshimi, ndaj dhe dëshmia apo sjellja e një lajmi prej tij mbetet i pabesueshëm. Dhe kjo në jetën normale, ku njerëzit mund të kontaktohen fizikisht, por çfarë mund të thuhet për anonimët e rrjeteve sociale, që përdorin emra të rremë, ose nofka që fshehin identitetin real të tyre?
Pa më të voglën mëdyshje, dyshimi dhe pabesueshmëria e tyre është maksimale, sepse mund të gënjejnë dhe mashtrojnë pa më të voglin siklet, e të mos skuqen e as zverdhen pas ekranit të kompjuterit apo celularit. Këta njerëz, në zhargonin e internetit njihen si trolls. Qëllimi i tyre është vetëm të provokojnë, për t’u argëtuar, apo për të baltosur njerëz, të cilët ata i urrejnë.
Kura më e mirë kundra tyre është t’i injorosh, t’i heqësh nga shoqëria në rrjetet sociale, madje edhe t’iu bësh bllok dhe nëse bezdisja e tyre merr përmasa të mëdha, t’i denoncosh.
————–
P.S. Gylenistët, duke qenë me shumicë burracakë, makiavelistë dhe të edukuar të mos ekspozojnë kurrë fytyrën e tyre të vërtetë, i gjen shpesh aktivë mes trollëve të rrjetit.

Exit mobile version