Kjo është një recetë që e kam marrë nga një libër kuzhine franceze, dhuratë nga daja im për mamanë time, vite më parë. Kur mërzitemi me receta të thjeshta alla shqiptarçe që dimë t’i gatuajmë symbyllur, i hedhim një sy këtij libri dhe i ngrejmë produktet e thjeshta në nivel kulinarie franceze, kuzhina më e mirë në botë. Në Normandi, bajamet zëvendësohen me lajthi, dhe mund të bëni të njëjtën gjë nëse nuk jeni fans aq i madh i bajamave. Sido të jetë, të dyja versionet janë të shijshme.
Përbërësit (për 2 persona): 2 trofta (rreth 350 g secila) të pastruara, 40 g miell, 4 lugë gjalpë, 30 g bajame në feta të holla, 2 lugë vaj, kripë dhe piper.
Përgatitja: Lajeni troftën dhe thajeni. Vendoseni miellin në një qese plastike dhe shtoni kripë e piper sipas dëshirës. Futini troftat një nga një në qesen me miell dhe tundeni qesen për t’i mbuluar troftat me miell. Nxirrini troftat dhe shkundni miellin e tepërt. Shkrini gjysmën e gjalpit në një tigan të gjerë me flakë mesatare. Kur gjalpi të bulëzojë, shtoni troftat një nga një dhe gatuajini 6-7 minuta nga secila anë, derisa të marrin ngjyrë kafe të artë. Kalojini troftat në një pjatancë dhe mbulojini. Shtoni gjalpin e mbetur në tigan dhe gatuajini bajamet derisa të marrin ngjyrë kafe të lehtë. Shtojuni vajin dhe ziejini për 1 minutë, duke përzier vazhdimisht, që të bëhet si shurup. Shtojeni shurupin me bajame sipër troftave dhe shërbejini menjëherë.
Kjo recetë u përgatit nga Delicious.al