Ballina Auto Triçikleta e parë solare së shpejti në treg, kushton 35 mijë dollarë

Triçikleta e parë solare së shpejti në treg, kushton 35 mijë dollarë

Automjeti me pamje futuriste mund të udhëtojë vetëm 65 kilometra në ditë me energji diellore, por kjo nuk i ka penguar 48 mijë klientë në SHBA, ku do të dalë në shitje, ta porosisin tashmë. Çmimi fillon nga 35 mijë dollarë.

Triçikleta e kompanisë amerikane Aptera Motors është marrë së fundmi për një xhiro në San Francisko.

Sekreti i këtij automjeti elektrik është se ai ka rreth 65 për qind më pak masë se vetura e tjera elektrike, dhe për shkak të dizajnit të tij unik, aerodinamik dhe peshës së reduktuar, i nevojitet vetëm rreth 30 për qind e energjisë së përdorur nga automjetet e tjera elektrike konvencionale.

Në vende me diell, vetura pothuajse kurrë nuk duhet të karikohet me një karikues elektrik, pretendon prodhuesi. Kur karikohet plotësisht, duhet të përshkojë 600 kilometra me një bateri plotësisht të ngarkuar. Kapaciteti i baterisë nuk dihet ende.

Modeli është jashtëzakonisht i lehtë dhe ka një rezistencë shumë të ulët të ajrit (vetëm 0.13). Nga ana tjetër, në praktikë është e vështirë të arrihet një efikasitet i mjaftueshëm me një numër relativisht të vogël të qelizave diellore, por në Aptera ata kanë besim në sistemin e tyre.

Sipas kompanisë, kjo veturë me dy ulëse arrin shpejtësinë maksimale prej 177 km/h dhe përshpejton nga 0-100 km/h në më pak se katër sekonda.

Edhe pse Aptera thotë se nuk u kursye për sigurinë, nuk është një veturë në kuptimin e ngushtë të fjalës, por një triçikletë që peshon jo më shumë se 800 kilogramë me baterinë më të vogël.

Për të siguruar shpejt një njësi për të gjithë klientët që e kanë porositur atë, Aptera po kërkon fonde shtesë. Kjo nuk është hera e tyre e parë.

Exit mobile version