Pas goditjes brutale me shqelm ndaj një gruaje të re në shkallët e metrosë së Berlinit, autori u dënua me dy vjet e njëmbëdhjetë muaj burg.
Një ekspert psikiatër pati konstatuar më parë se dorasi është vetëm pjesërisht i përgjegjshëm penalisht për fajin – për shkak të një difekti në tru pas një aksidenti automobilistik si dhe për shkak të shpërdorimit të alkoolit dhe drogës. Pala bashkëpaditëse hoqi dorë nga kërkesa për fillimin e një procedurë të veçantë penale.
Studentja 26-vjeçare që e goditën ra me fytyrë në platformën e metrosë. Ajo theu krahun dhe mori një plagë në kokë. Në proces ajo tha se kishte vuajtur për muaj të tërë nga ngjarja. Në fillim ajo e pati shmangur kontaktin me botën e jashtme. Sulmi në stacionin e metrosë Hermannstraße në lagjen e Berlinit Neukölln, i tetorit 2016 shkaktoi në të gjithë Gjermaninë tmerr dhe zemërim.
Dorasi pa kujtesë për aktin
I padituri me origjinë bullgare e pranoi fajin në fillim të procesit dhe kërkoi falje. Përmes avokatit të tij mbrojtës ai e pranoi se ai është personi që duket në videon e mbikqyrjes të shpërndarë nga policia. Por ai kishte qenë nën ndikimin e drogës dhe nuk i kujtohet akti. Ai qe arratisur dhe u arrit të arrestohet vetëm në dhjetor, kur u kthye nga Franca me të shoqen në stacionin qendror të autobusëve. Pak më parë, policia pati publikuar filmimet e kamerave të përgjimit. /DW/