Megjithëse kinemaja, televizioni dhe interneti e kanë goditur rëndë letërsinë tradicionale, kjo nuk do të thotë se letërsia është e dënuar të vdesë. Përkundrazi, tashmë është e qartë se letërsia vazhdon të mbijetojë në këtë mjedis tejet konkurrues dhe jo të favorshëm për të. Dukshëm ajo po evoluon, duke u përpjekur të gjejë rrugë të reja për të mbijetuar dhe për t’u përshtatur me kohën. Se sa është e mjaftueshme kjo përshtatje, është temë që ha diskutim.
Shkruan: Ardian MUHAJ, Tiranë
Letërsia, dikur mbretëresha e arteve të bukura dhe formës kryesore të transmetimit të ideve dhe emocioneve duket të jetë vënë përballë një sfide ekzistenciale. Kjo sfidë ka ardhur kryesisht nga tri forca madhore që e kanë transformuar mënyrën se si njerëzit konsumojnë dhe përthithin informacion dhe ide: kinemaja, televizioni dhe interneti. Secila prej këtyre formave moderne të komunikimit të ideve dhe informacionit ka luajtur rolin e një “thike”, që në thelb e ka plagosur letërsinë dhe secila përbën një kërcënim për mbijetesën e letërsisë tradicionale.
Gozhda e parë: kinemaja
Kulmimi i suksesit të letërsisë ndodhi në shek. XIX. Pas këtij kulmimi, shekulli pasues XX njohu forma të reja që e gërryen progresivisht hegjemoninë e letërsisë dhe sot mund të flitet nëse jo për fundin e letërsisë si zhanër, të paktën me siguri për fundin e hegjemonisë së saj. E para gozhdë që paralajmëroi fundin e hegjemonisë së letërsisë ishte kinemaja. E shpikur në fund të shek. XIX, kinemaja shpejt filloi të konkurrojë me letërsinë për vëmendjen e masave. Me aftësinë për të sjellë histori të gjalla dhe vizuale në ekran, ajo u bë një nga format më të njohura të artit dhe argëtimit në shek. XX.
Për miliona njerëz, filmat ofronin një rrugë më të lehtë dhe më tërheqëse për të përjetuar botët imagjinare dhe narrativat epike, të cilat më parë ishin domen i librave. Kinemaja ka një ndikim të madh emocional dhe vizual, duke bërë që shumë histori të vijnë në jetë në një mënyrë më të gjallë dhe më të përmbledhur sesa në fjalët e shkruara. Adaptimet filmike të veprave letrare janë një shembull klasik i këtij fenomeni. Romanet e gjatë dhe të ndërlikuar, të cilët kërkojnë kohë dhe përqendrim për t’u lexuar, mund të kondensohen në një film të vetëm që mund të shihet dhe shijohet në vetëm një apo dy orë. Për lexuesit potencialë, kjo bëhet një alternativë më tërheqëse, duke zvogëluar kështu kohën dhe përpjekjen që kërkon leximi. Në këtë mënyrë, kinemaja e ka “goditur” letërsinë duke ofruar një përvojë më të drejtpërdrejtë dhe të fuqishme të tregimit, që ka tërhequr një masë të gjerë audience. Për shumë njerëz, filmi është bërë mjeti parësor i përjetimit të historive të mëdha dhe me mesazhe të fuqishme frymëzimi e të pashlyeshme.
Interesante është se që nga viti 1901, çmimi Nobel ka qenë vlerësimi më i lartë për autorët që kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në letërsi. Ironia e fatit qëndron në faktin se, në të njëjtën kohë që autorët më të shquar të letërsisë nisën të nderohen nga një çmim i tillë prestigjioz, leximi dhe përfshirja me letërsinë ka shkuar duke u tkurrur në masat e gjera. Kjo çon në një paradoks të dukshëm: në njërën anë, letërsia vlerësohet në mënyrë të jashtëzakonshme nga një komunitet intelektual që çmon fuqinë e saj për të ndryshuar shoqërinë, ndërsa, nga ana tjetër, ajo bëhet gjithnjë e më pak e rëndësishme për jetën e përditshme të njerëzve. Një nga arsyet që ndihmon të shpjegojë këtë është se letërsia, veçanërisht ajo që fiton çmime prestigjioze si Nobel, shpesh perceptohet si një art elitar. Kjo letërsi shihet sikur është krijuar për një audiencë të përkushtuar, që ka vullnetin dhe aftësinë për t’u angazhuar me shkrime të thella dhe shpesh të vështira jo thjesht për t’u kuptuar, por në radhë të parë për t’u shijuar artististisht dhe estetikisht. Kjo krijon një hendek midis njohjes së letërsisë nga institucionet prestigjioze dhe vëmendjes së mirëfilltë të shoqërisë ndaj letërsisë.
Gozhda e dytë: televizioni
Nëse kinemaja ishte goditja e parë ndaj letërsisë, televizioni solli një tjetër ndryshim rrënjësor që e përforcoi edhe më shumë sfidën me të cilën po përballej letërsia. Me shpikjen e televizionit, në mesin e shek. XX, dhe përhapjen e tij në çdo shtëpi, njerëzit filluan të kalojnë më shumë kohë para ekranit sesa me librat. Seritë televizive dhe dokumentarët ofronin përmbajtje të vazhdueshme, duke tërhequr vëmendjen e masave me programim të përditshëm dhe me histori të zhvilluara dhe të paraqitura gradualisht. Televizioni ofronte ndërthurjen e argëtimit vizual dhe narrativ, duke shtrirë tregimin në periudha të gjata kohore përmes serive dhe serialeve të prodhuara posaçërisht për industrinë televizive. Ky format ishte i përshtatshëm për jetën e përditshme të njerëzve, të cilët mund të ndiqnin episodet e një serie pa patur nevojë për përqendrim të vazhdueshëm apo angazhim intelektual të thellë, ashtu siç kërkon leximi i një romani. Me rritjen e popullaritetit të telenovelave, dramave, dokumentarëve, shfaqjeve dhe spektakleve të ndryshme artistike, televizioni e zëvendësoi gradualisht librin si burimi kryesor i rrëfimit në shumë ambiente familjare.
Një nga përparësitë e prekshme të televizionit në sytë dhe botëkuptimin e masave ishte edhe dobia e tij si mjet informimi publik. Ky aspekt dhe ky rol që nisi të luajë televizioni rezultoi në një nga rolet më të rëndësishme që i dha hov masivizimit të ndikimit të televizionit në jetën e njerëzve. Programet e lajmeve dhe dokumentarët televizivë u bënë burimet kryesore për përhapjen e informacionit të përditshëm. Përmes televizionit, ngjarje të rëndësishme botërore dhe vendore transmetohen drejtpërdrejt në shtëpitë e miliona e miliarda njerëzve, duke krijuar një lidhje të menjëhershme me zhvillimiet botërore. Televizioni, përmes përmbajtjes së tij, ka pasur dhe ka një ndikim të madh në ndërtimin e identitetit kulturor dhe individual. Njerëzit shpesh lidhen emocionalisht me personazhet dhe situatat që paraqiten në ekran, duke marrë modele sjelljeje dhe qëndrimesh. Për shembull, figurat televizive kanë ndikuar në mënyrën se si njerëzit vishen, flasin dhe sillen. Është për t’u theksuar se shumë prej personazheve të shquara të kryeveprave të letërsisë botërore kanë hyrë dhe gjallojnë në memorien e njerëzve përmes mënyrës dhe formës së ekranizimit të tyre. Kësisoj, letërsia, që dikur ofronte mundësi të jashtëzakonshme për të përjetuar imagjinata dhe reflektime të thella, vazhdoi të humbasë terren edhe më shumë në betejën për vëmendjen e publikut.
Gozhda e tretë: interneti
Megjithëse kinemaja dhe televizioni kanë sfiduar letërsinë për më shumë se një shekull, shpikja e internetit në fund të shek. XX përbën një ndryshim të madh dhe të paprecedentë. Interneti ka transformuar çdo aspekt të komunikimit njerëzor, duke përfshirë mënyrën se si njerëzit marrin informacion, si argëtohen dhe si ndajnë ide. Interneti ka krijuar një kulturë të konsumit të menjëhershëm, ku përmbajtja duhet të jetë e shpejtë dhe e kapshme. Për shumë njerëz, interneti ofron një mjet për të përmbushur të gjitha nevojat për argëtim, edukim dhe komunikim. Leximi i gjatë dhe përkushtimi që kërkon një roman është zëvendësuar me përmbajtje të shkurtër dhe të menjëhershme si postimet në blog, lajmet në X dhe videot në YouTube. Në këtë kontekst, letërsia tradicionale, që kërkon kohë dhe përqendrim, duket e vjetruar dhe e largët.
Një nga ndikimet më të dukshme të internetit në kulturë është përhapja e ideve dhe informacionit në shkallë globale. Interneti ka krijuar një platformë ku kultura, idetë dhe informacioni qarkullojnë pa barriera gjeografike, duke bërë që njerëzit nga vende dhe kultura të ndryshme të ndërveprojnë me njëri-tjetrin në mënyra që më parë ishin të pamundura. Komunikimi tani është bërë më i menjëhershëm dhe ndërveprimi social është zhvendosur nga bisedat ballë për ballë në ato virtuale. Në këtë aspekt duket se letërsia dhe interneti dhe në përgjithësi teknologjia e informacionit zhvillohen në kahe dhe ritme të kundërta.
Kriza e letërsisë në botë: një proces i natyrshëm dhe i pashmangshëm
Ndërkohë që sot gjithnjë e më shumë diskutohet për një krizë të letërsisë në shkallë globale dhe kur qartazi duket që letërsia të ketë humbur vendin e saj qendror në kulturën njerëzore, çështja shtrohet nëse kjo krizë është thjesht një problem i përkohshëm dhe i tejkalueshëm ose një fenomen i natyrshëm dhe i pashmangshëm, si pjesë e evolucionit të kulturës dhe shoqërisë. Në qendër të krizës së letërsisë qëndron transformimi teknologjik që po përjeton bota dhe faktori thelbësor që kontribuon në këtë krizë është dinamika e ndryshuar e kohës dhe vëmendjes së njerëzve. Në ditët e sotme, shpejtësia e jetës dhe numri i madh i stimujve që bombardojnë njerëzit çdo ditë kanë zvogëluar hapësirën për përqendrim dhe reflektim të thellë. Letërsia tradicionale, e cila kërkon durim dhe përkushtim, ka humbur dhe po humbet përditë e më shumë terren. Në vend të romaneve, tregimeve të gjata apo eseve, njerëzit sot konsumojnë përmbajtje të shkurtër dhe të kapshme përmes formateve digjitale. Gjithashtu, shumë prej temave dhe motiveve që shënjojnë dhe përbëjnë letërsinë klasike mund të duken të largëta për lexuesit e rinj. Botëkuptimi i ndryshuar dhe përshpejtimi i zhvillimeve teknologjike kanë krijuar një hendek ndërmjet lexuesve bashkëkohorë dhe veprave të letërsisë që vijnë nga e kaluara e afërt apo e largët.
Letërsia është shndërruar në një art që e ka pothuajse të pamundur të ekzistojë pa mbështetjen nga buxhetet shtetërore dhe institucionet e fondacionet e ndryshme. Nëse nuk do të kishte mbështetjen e këtyre institucioneve shtetërore ose jo, letërsia tradicionale vështirë se do të zinte sadopak vend në fjalorin dhe komunikimin mes të rinjve. Përfshirja e lëndës së letërsisë në programet mësimore duket se është mjeti më i fuqishëm që e mban ende letërsinë tradicionale në vëmendjen e moshave të reja. Është shumë domethënës fakti që vërehet në përgjithësi tashmë se sapo detyrimi i programit shkollor tejkalohet dhe të rinjtë rriten e pavarësohen, letërsia shkon duke u venitur në vëmendjen dhe komunikimin e përditshëm të të rinjve. Fjalori i të rinjve të sotëm është gjithnjë e më i zhveshur nga figurat, metaforat, simbolet ose frymëzimet nga bota e letërsisë.
Megjithatë, duhet theksuar se këto zhvillime tregojnë se, edhe pse letërsia tradicionale është në krizë, kjo nuk do të thotë se kultura po bëhet më e varfër. Ajo thjesht po ndryshon në mënyra të tjera, duke reflektuar ndryshimet e natyrshme të kohës dhe duke u paraqitur si një transformim i kulturës në përgjithësi. Natyrisht, ndërsa shoqëria po largohet nga format tradicionale të leximit, ajo humb disa nga përfitimet e leximit të thellë dhe reflektiv, si mënyra për të ndërtuar mendimin kritik, për të kuptuar nuancat e ideve dhe për të reflektuar mbi përvojat njerëzore. Nga ana tjetër, përvoja të reja, të bazuara te teknologjia, si realiteti virtual, po dëshmojnë se janë të afta të ofrojnë forma të reja të përfshirjes emocionale dhe intelektuale, në një kah dhe drejtim të ri ose, më saktë, drejt një bote postletrare.
Një nga pasojat më të rëndësishme të këtij kalimi drejt një bote postletrare është mënyra se si ndryshon arsimi dhe aftësitë themelore të shoqërisë. Fëmijët sot po rriten në një botë ku videoja dhe grafikat interaktive e zëvendësojnë tekstin si burim primar i informacionit. YouTube, TikTok dhe platforma të tjera të ngjashme janë bërë mjetet e preferuara për të mësuar dhe leximi tradicional shpesh shihet si më pak tërheqës ose i ngadaltë krahasuar me këto formate të reja. Kultura e konsumit të menjëhershëm dhe e informacionit të shkurtër e ka dobësuar dëshirën për të përfunduar tekste të gjata dhe të stërholluara.
Në përfundim duhet theksuar se megjithëse kinemaja, televizioni dhe interneti e kanë goditur rëndë letërsinë tradicionale, kjo nuk do të thotë se letërsia është e dënuar të vdesë. Përkundrazi, tashmë është e qartë se letërsia vazhdon të mbijetojë në këtë mjedis tejet konkurrues dhe jo të favorshëm për të. Dukshëm ajo po evoluon, duke u përpjekur të gjejë rrugë të reja për të mbijetuar dhe për t’u përshtatur me kohën. Se sa është e mjaftueshme kjo përshtatje, është temë që ha diskutim. Gjithashtu, nuk duhen harruar anët ose aspektet e pazëvendësueshme të letërsisë, të cilat në fund të fundit edhe përbëjnë forcën mbi të cilën shquhet qëndrueshmëria e saj përballë zhvillimeve të vrullshme të përshkruara më lart. Letërsia ka një thellësi dhe aftësi të veçantë për të zhvilluar mendimin kritik dhe për të stimuluar imagjinatën, që ende nuk mund të zëvendësohet plotësisht nga teknologjitë vizuale. Romani, tregimi, poezia dhe forma të tjera letrare ende ofrojnë një përvojë unike, që as kinemaja, televizioni ose interneti nuk mund ta përmbushin plotësisht. Ndonëse e sfiduar nga këto zhvillime, letërsia ende e ka potencialin për ta frymëzuar dhe për ta pasuruar jetën intelektuale të njerëzve. Pa dyshim që letërsia do të mbijetojë në këtë epokë të re, por e sigurtë se kurrë më nuk do të mbretërojë sikurse në shek. XIX. /revistashenja