Nënkampionia e Kosovës në basketboll, Trepça ka vazhduar me humbje në garat e FIBA Europe Cup. Trepça, të mërkurën mbrëma ka pësuar humbje të thellë në udhëtim nga skuadra Gravelines Dunkerque.
Dueli i luajtur në Francë në kuadër të Grupit G të kësaj gare, u mbyll me fitoren bindëse të ekipit vendas 83:49. Për Trepçën, kjo është humbja e dytë rresht e thellë në FIBA Europe Cup, pasi javën e shkuar pësoi në Mitrovicë nga Leidei i Holandës (84:54).
Basketbollistët e Trepçës pothuajse për asnjë moment nuk u treguan të barabartë me kundërshtarët francez, të cilët shënuan fitoren e parë pas një serie prej 10 humbjeve në po aq ndeshje të zhvilluara.
Nëntë humbje i kanë në kampionat, ndërsa një tjetër në kuadër të FIBA Europe Cup. Pas vetëm dy çerekëve lojë, Gravelines ishte në avantazh prej 19 pikëve – 40:21. Periudhën e parë, ekipi francez e mbylli me shifrat 20:12 kurse të dytën 20:9. Në çerekun e tretë, Trepça u tregua më efikase por nuk arriti ta fitoj. Shënoi 13 pikë, ndërsa pranoi 17 sosh. Në dhjetë minutat e fundit, Gravelines Dunkerque e shtoi epërsinë në 34 pikë për ta regjistruar fitoren e parë këtë edicion në të gjitha garat. Qendra Jordy Tshimanga ishte lojtari i vetëm te Trepça me pikë dyshifrore. Tshimanga pati 13 pikë e 11 kërcime por që nuk ishin të mjaftueshme ndaj ekipit francez, ku u veçua Thomas Cornely me 17 pikë të shënuara.