Lista Serbe ka marrë vendim që t’i bojkotojë institucionet e Kosovës në kundërshtim të miratimit të Ligjit për “Trepçën”.
Thonë se ky ligj është i papranueshëm për ta, pasi nuk është hartuar në bashkëpunim me përfaqësuesit serbë, por njëanshëm. Ndërsa, zyrtarët qeveritarë thonë se ky është një keqkuptim derisa kanë ripërsëritur se Serbia nuk mund t’i fusë duart në gjigantin metalurgjik pasi ajo është pasuri e Kosovës
Miratimi i Ligjit për “Trepçën” ka bërë që Lista Serbe të vendosë bojkotimin e institucioneve në shenjë kundërshtimi ndaj këtij ligji, shkruan “Zëri”.
Përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës thonë se për ta është i papranueshëm ky ligj, i cili tenton ta ringjallë gjigantin metalurgjik “Trepça” pasi nuk është hartuar në bashkëpunim me ta.
Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka thënë për gazetën “Zëri” se ata kërkojnë që Ligji për “Trepçën” të hartohet dhe të bisedohet bashkë me përfaqësuesit serbë e jo t’i jepet legjitimitet pronësisë së saj në mënyrë të njëanshme.
“Është i papranueshëm ligji që u miratua në Kuvend. Nuk ka bazë të përbashkët ligjore, vetëm të drejtë të njëanshme. Kërkojmë që për ‘Trepçën’ të bisedohet dhe jo t’i jepet legjitimitet të njëanshëm të të drejtës pronësore dhe strukturës organizative”, ka thënë Simiq.