Trepça kërkon fitoren e dytë, Peja barazimin e serisë finale

Drilon Hajrizi e ka parasysh se Trepça nuk do ta ketë aspak të lehtë ndeshjen e dytë të serisë finale të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll ndaj Pejës. Hajrizi thekson se kjo përballje do të jetë shumë e vështirë për faktin se luhet në Pejë dhe ekipi vendas është maksimalisht i motivuar për të reaguar pas humbjes që e pësoi në ndeshjen e parë në Mitrovicë, të mërkurën. Basketbollistët e Pejës pritet ta kenë përkrahjen e fuqishme të tifozëve vendas, si Trepça në ndeshjen e parë.

Megjithatë Drilon Hajrizi insiston se Trepça është përgatitur në çdo aspekt për ndeshjen në Pejë dhe udhëton për fitore. Triumfi në Pejë do të bënte që Trepça të ishte vetëm një fitore larg titullit të kampionit, sukses që nuk e ka arritur prej vitit 2012.

Aktualisht Trepça avancon 1:0 në serinë finale, pas fitores 94:86 në “Minatorin” e stërmbushur. Skuadra që shënon tri fitore do të shpallet kampione e Kosovës.

Përballja e dytë ndërmjet Pejës dhe Trepçës është të dielën prej orës 17:15 në palestrën “Karagaçi”.

“Ndeshjet e serisë finale janë ato që e mbyllin edicionin dhe është normale që të dyja ekipet të japin maksimumin nga vetja për ta fituar titullin. Kështu që si Trepça ashtu edhe Peja do të bëjnë të pamundurën që në fund të shpallen kampionë. Sigurisht, Peja është e motivuar për ndeshjen e dytë dhe kjo është normale. Luan në shtëpi dhe nuk do të jetë aspak lehtë për ne. Mirëpo, ne do të luajmë pa presion dhe gjasat janë 50 me 50, pasi sikurse në Mitrovicë ashtu edhe në Pejë detajet do ta vendosin fituesin”, është shprehur Hajrizi të premten për KOHËN.

“Nëse fitojmë do t’i afrohemi edhe më shumë titullit, të cilin e kemi synim prej fillimit të edicionit. Ne do të shkojmë në Pejë për të luftuar dhe për të dalë fitues, pasi jemi të përgatitur maksimalisht”.

Humbja në Mitrovicë nuk është pranuar lehtë te Peja. Ekipi pejan deri në katër minutat e fundit ishte në epërsi prej tetë pikëve, por në fund u mposht nga Trepça që shfrytëzoi përparësinë e terrenit vendas dhe përkrahjen e madhe të tifozëve të saj.

Në të njëjtën mënyrë, duke shfrytëzuar terrenin vendas dhe përkrahjen e tifozëve, Peja po synon t’i revanshohet Trepçës për ta barazuar serinë në 1:1. Kapiteni i Pejës, Arti Hajdari, ka insistuar se disfata në Mitrovicë nuk i ka zhgënjyer por i ka motivuar edhe më shumë për të reflektuar me fitore të dielën në shtëpi. Ai ka thënë se gjatë këtyre ditëve janë përgatitur dhe kanë eliminuar gabimet e ndeshjes së parë për të qenë sa më të gatshëm për duelin e dytë. Edhe Peja nuk e ka fituar titullin e kampionit tashmë një kohë të gjatë dhe është në kërkim të këtij suksesi prej vitit 2013.

Sipas Hajdarit, është koha e duhur që Peja ta rikthejë titullin pas një dekade.

“Do të japim gjithçka nga vetja për ta kthyer titullin në Pejë, pasi këtë sukses e meriton qyteti ynë. Jemi të vetëdijshëm se seria finale nuk do të jetë aspak e lehtë, por do të luftojmë deri në fund. Luajmë në shtëpi në ndeshjen e dytë dhe pres ta fitojmë. Jemi në shtëpinë tonë dhe do ta kemi përkrahjen e madhe të publikut. Jemi maksimalisht të motivuar dhe do të dalim për ta barazuar serinë finale”, ka theksuar Hajdari.

Trepça dhe Peja janë skuadra që në dy edicionet e fundit ishin finaliste, por që u mposhtën nga Golden Eagle Ylli. Për Pejën kjo është finalja e dytë këtë edicion, ndërsa e para në garat e Kosovës. Të dielën e shkuar u mposht në finalen e Ligës Ballkanike.

Trepça po paraqitet në finalen e katërt. Ka luajtur edhe në finalen e Superkupës Mbarëkombëtare si dhe të Superkupës dhe Kupës së Kosovës. Ka triumfuar në Superkupën Mbarëkombëtare dhe Kupën e Kosovës.

Në serinë gjysmëfinale të plejofit, Trepça e eliminoi Sigal Prishtinën me rezultatin 3:2. Kurse Peja ishte më e mirë se kampioni në fuqi, Golden Eagle Ylli. Peja në finale kaloi me rezultatin 3:1.