Kur kishin mbetur 44 sekonda deri në fund, Dardan Berisha shënoi për tri pikë dhe për epërsinë 74:73 të Sigal Prishtinës. Ishte epërsia e parë e Prishtinës në ndeshjen vendimtare ndaj Trepçës. Por skuadra prishtinase nuk ia doli të mbetet para në rezultat deri në fund. 27 sekonda para fundit, Erjon Kastrati shënoi për dy pikë, për epërsinë 75:74 të Trepçës.
Më pas Drilon Hajrizi rrëmbeu top në mbrojtje. Jamal Artis u faulua dhe shënoi dy gjuajtjet e lira për 77:74. Prishtina i kishte edhe shtatë sekonda në dispozicion. Nuk realizoi sulm të duhur, por disi Derrick Ëilson ia doli të gjuaj për tri pikë. Nuk shëno. Kështu fitorja i takoi Trepçës që kualifikohet në finale të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll. Në finale do të takohet me Pejën, që më herët kishte eliminuar Golden Eagle Yllin. Ndeshja e pestë gjysmëfinale mes Prishtinës dhe Trepçës u luajt në Pallatin e Rinisë në kryeqytet. Salla ishte e stërmbushur me shikues, ndërsa kishte edhe numër të konsiderueshëm policësh. Prishtina ka pasur përkrahje të madhe nga shikuesit gjatë gjithë ndeshjes. Por në fund festuan lojtarët e Trepçës dhe pak persona që i shoqëruan ata. Të tjerët u larguan u heshtën.
Festa në atë moment ishte në “Minatori” në Mitrovicë. Atje nuk kishte ndeshje, por mitrovicasit e kishin mbushur sallën për ta përcjellë takimin përmes një ekrani gjigant. Dhe për të festuar me pasion në fund.
Trepça ka dominuar nga fillimi e deri në fund. Shkëputjen e madhe e bëri në çerekun e parë, të cilin e fitoi 17:4. Më pas Prishtina është afruar në rezultat, por Trepça ishte vazhdimisht para. Deri te ajo treshe e Dardan Berishës. Dhe sërish më pas. Prishtina kishte fituar dy ndeshjet e para si vendase e Trepça kishte dy fitore në MItrovicë. Më pas raportet mes klubeve u acaruan, pas akuzave të Prishtinës se ishte tentuar të kurdisej njëra ndeshje në favor të Trepçës. Ndeshja e pestë është dashur të luhet në mesjavë, por u shty për fundjavë. Dhe pres saj fituese doli Trepça, që tani mund të përgatitet për finale. Will Daniels ka shkëlqyer te Trepça.
Ai ndeshjen e përfundoi me 24 pikë e katër kërcime. Jamal Artis i kishte 16 pikë e shtatë kërcime. Ken Brown kontribuoi me dhjetë pikë e tetë asistime, por i kishte edhe gjashtë topa të humbur. Drilon Hajrizi ndeshjen e mbylli me tetë pikë e pesë kërcime. Nate Grimes u dallua te Prishtina me dhjetë pikë e gjashtë kërcime. Wilson i kishte 11 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime, por jo edhe qetësinë e duhur në momentet vendimtare. 15 pikë i shënoi DardanBerisha, që kishte shumë dështime po ashtu.
Kosova tani do të ketë kampion të ri. Peja dhe Trepça ka kohë që presin për titull të kampionit.
Ndeshje dramatike priten në javët e ardhshme.