Tregtia Turqi-Siri shënon rritje të ndjeshme në fillim të vitit të ri

Omer Bolat

Tregtia midis Türkiyes dhe Sirisë ka marrë vrull në fillim të vitit të ri, me eksportet turke në Siri që janë rritur me 35,5 për qind nga viti në vit, për të arritur në 219 milionë dollarë sipas shifrave të fundit më 25 janar, tha ministri turk i Tregtisë Omer Bolat për Anadolu.

Bolat theksoi se administrata e re në Siri po punon në “bashkëpunim të ngushtë” me Turqinë, duke shprehur optimizëm për përparimin në tregti, investime dhe përpjekje për rindërtim.

Ministri vuri në dukje se gjatë revolucionit sirian, mallrat thelbësore si ushqimi dhe materialet e ndërtimit ishin kryesisht të përjashtuara nga taksat doganore. Megjithatë, administrata e re solli ndryshime më 11 janar, duke rishikuar 6.302 tarifa doganore si pjesë e një zhvendosjeje më të gjerë drejt një politike të unifikuar doganore që synon rritjen e të ardhurave.

“Ndërsa tarifat doganore për disa artikuj u rritën në Sirinë veriore, të tjerat shënuan ulje. Megjithatë, ne kemi identifikuar një fushatë dezinformimi në raportime të caktuara që pretendojnë në mënyrë të rreme se administrata e re ka vendosur tarifa më të larta për produktet turke në krahasim me ato nga vendet arabe”, tha Bolat.

Ai sqaroi se rregullimet u bënë për të adresuar nevojat e shpenzimeve publike dhe nuk ishin në shënjestër në mënyrë specifike ndaj Türkiyes.

Bolat theksoi gjithashtu kontekstin historik të marrëdhënieve tregtare Türkiye-Siri, duke kujtuar se një marrëveshje e tregtisë së lirë u nënshkrua midis dy kombeve në vitin 2007. Megjithatë, marrëveshja u pezullua pas shpërthimit të revolucionit sirian.

“Ne propozuam ringjalljen e marrëveshjes në kuptimin e saj më të gjerë, duke sugjeruar një qasje produkt pas produkti në negociata. Pala siriane i është përgjigjur pozitivisht këtij propozimi”, tha ai.

Ministri shtoi se Türkiye kishte paralajmëruar Sirinë për ndikimin e mundshëm inflacionist të rritjes së tarifave doganore për mallrat thelbësore. “Ne këshilluam që ulja e taksave për nevojat bazë do të ndihmonte në frenimin e inflacionit. Si rezultat, Siria njoftoi se do të ulë tarifat për 269 produkte, duke përfshirë qumështin, vezët, miellin, hekurin, çelikun dhe artikujt plastikë”, shpjegoi Bolat.

Sipas ministrit Bolat, eksportet e Türkiyes në Sirinë veriore arritën në 2,2 miliardë dollarë në vitin 2023, ndërsa importet arritën në 450 milionë dollarë, përpara rënies së regjimit të Asadit.

Bolat zbuloi gjithashtu se eksportet turke në Siri u rritën në 130 milionë dollarë në dy javët pas rregullimeve të tarifave doganore të 11 janarit, duke shënuar një rritje prej 33 për qind vetëm në atë periudhë.

Përveç kësaj, Bolat dha të dhëna për aktivitetin e tregtisë ndërkufitare, duke vënë në dukje se mesatarisht 532 automjete në ditë kalonin në Siri përmes portës kufitare të Hatajit midis 15 dhe 20 janarit, krahasuar me 527 automjete në ditë në pesë ditët e para të vit.

Portat e tjera kufitare, duke përfshirë Oncupinar, Cobanbey, Karkamis, Akcakale dhe Ceylanpinar, regjistruan mesatarisht 344 automjete në ditë nga 1 deri më 5 janar, duke u rritur në 484 automjete në ditë midis 15 dhe 20 janarit.

Bolat hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se kamionët turq po kalojnë në rajonet e kontrolluara nga YPG-ja në Siri përmes portës kufitare Habur, duke deklaruar se pretendime të tilla janë të pavërteta. Ai theksoi se taksat e larta doganore në Irakun veiror do t’i bëjnë rrugët e tilla ekonomikisht të paqëndrueshme.