Trefishohen kalimet e paligjshme në La Mansh

Numri i personave që kanë bërë udhëtimin e rrezikshëm përgjatë La Manshit me varka të vogla këtë vit ka mëse kapërcyer trefishin e totalit të vitit 2020.

Të paktën 886 persona arritën në Britaninë e Madhe të shtunën, duke e çuar totalin për vitin në më shumë se 25 700, sipas të dhënave zyrtare të disponueshme të përpiluara nga agjencia e lajmeve PA.

Mbërritjet e anijeve të vogla në vitin 2021 tani janë më shumë se trefishi i shifrës për të gjithë vitin 2020, kur 8 417 persona kaluan ngushticën e Doverit.

Këto shifra bazohen në të dhënat e brendshme britanike të marra dhe të analizuara nga PA.

Kjo vjen pavarësisht premtimeve të përsëritura nga qeveria për t’i bërë kalimet e tilla “të pazbatueshme” dhe dhjetëra miliona stërlinave të premtuara për Francën, për të ndihmuar në trajtimin e çështjes.

Në Dhomën e Komunëve, Sekretarja e Brendshme britanike, Priti Patel, mbrojti përpjekjet e saj për të trajtuar krizën, pas pretendimeve se ajo ka “humbur kontrollin” e situatës.

Tensionet me Francën, tashmë të tensionuara mes grindjeve të Brexit për peshkimin dhe Irlandën e Veriut, janë përshkallëzuar javët e fundit pasi rreth 6 000 persona ndërmorën udhëtimin e rrezikshëm në nëntor.

Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, ka fajësuar tregun e punës në BM për tërheqjen e njerëzve për të bërë kalimin e rrezikshëm.

I pyetur nëse Boris Johnson mendonte se Franca po bënte mjaftueshëm për të parandaluar kalimin e La Manshit, zëdhënësi zyrtar i kryeministrit tha sot se “Ne vazhdojmë të besojmë se ka më shumë që mund të bëhet nga të dyja palët”.

Megjithatë, pavarësisht nga numri në rritje i mbërritjeve me varka të vogla, BM vazhdon të shohë shumë më pak mbërritje me varka dhe kërkesa për azil, sesa shumë nga homologët e saj evropianë.

Të paktën 105 135 persona kanë mbërritur në Evropë përmes Mesdheut, tokës dhe detit, deri më tani këtë vit, sipas të dhënave nga Komisioni i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR).

Rreth 1 319 vlerësohen të kenë vdekur ose janë zhdukur, sipas të njëjtave të dhëna.

Mendohet se të paktën 10 persona kanë vdekur në javët e fundit, teksa përpiqeshin të kalonin La Manshin për në BM. /atsh