Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Tre vjet nga aksidenti tragjik në Bullgari ku humbën jetën 45 persona

Tre vjet nga aksidenti tragjik në Bullgari ku humbën jetën 45 persona

Kaluan tre vite nga aksidenti tragjik me autobusin në Bullgari, ku humbën jetën 45 persona, prej të cilëve 12 fëmijë, ndërsa shtatë të tjerë mbetën të lënduar, raporton Anadolu.

Autobusi me udhëtarë kryesisht nga Shkupi, por edhe nga qytetet e tjera të Maqedonisë së Veriut, kthehej nga një udhëtim turistik në Istanbul.

Atë mëngjes, familje të shumta tentonin të mësonin fatin e të afërmve të tyre, duke qenë se udhëtimet turistike në Istanbul ishin të popullarizuara për banorët e Maqedonisë së Veriut. Më pas, familje të shumta mësuan për fundin tragjik të të afërmve të tyre, ndërsa kishte familje që humbën më shumë anëtarë.

Autobusi ishte përfshirë nga flakët, ndërsa rrethanë tragjike ishte fakti se aksidenti ndodhi rreth orës dy pas mesnate, në kohën kur shumica e udhëtarëve mund të kenë qenë duke fjetur.

Menjëherë pas aksidentit nisën hetimet përkatëse, një në Bullgari në lidhje me shkaqet e aksidentit, si dhe një tjetër hetim në Maqedoninë e Veriut në lidhje me dyshimet për parregullsi që kishin të bënin me agjencinë turistike që organizoi udhëtimin.

Në muajin gusht të vitit 2022, autoritetet bullgare njoftuan se sipas hetimeve shkak i aksidentit është humbja e kontrollit të autobusit nga shoferi dhe shpejtësi më e madhe se e lejuara.

Në Maqedoninë e Veriut, autoritetet përcaktuan parregullsi në lidhje me dokumentet e duhura dhe për këtë është shqiptuar dënim i shkallës së parë për pronarin e kompanisë dhe kompaninë. Aktualisht, procesi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut vijon në instancat më të larta gjyqësore.

Për shkak të aksidentit, Maqedonia e Veriut shpalli tri ditë zie, ndërsa një ditë zie u shpall edhe në Bullgari dhe Kosovë.

Presidenti i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në lidhje me aksidentin atëkohë tha se është një “tragjedi e cila nuk mbahet mend në historinë tonë më të re”, ndërsa kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, aksidentin e cilësoi si “tragjedi e tmerrshme”.

Aksidenti nga mediat e shumta vendore dhe ndërkombëtare u cilësua si aksidenti rrugor më vdekjeprurës në historinë bullgare dhe si aksidenti më vdekjeprurës me autobusë në 10 vitet e fundit në Evropë.

Exit mobile version