Tre të plagosur në Prishtinë, identifikohen dy të dyshuar

Tre persona janë plagosur nga arma e zjarrit në Prishtinë të premten në mbrëmje, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Siç ka bërë të ditur Policia, rasti ka ndodhur rreth orës 19:00 në lagjen “Lakërishtë”. Tre të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor.

Dy të dyshuar, që janë identifikuar, janë në kërkim nga Policia.

“Sot rreth orës 19:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Lakrishte në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri janë plagosur tre persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për arrestimin e dy personave të dyshuar (të cilët janë identifikuar) si dhe ndriçimin e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë.