Fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje po shkon drejt seancës për konstituimin e Kuvendit pa sigurinë se i ka votat e nevojshme.
Derisa me shumë gjasë votat për kryetar të Kuvendit do të sigurohen, votimi i Qeverisë mbetet një pikëpyetje e madhe.
Më 14 prill, udhëheqësit e partive opozitare sqaruan disa pozicione të rëndësishme të tyre në raport me formimin e institucioneve të reja të vendit.
Analisti Eugen Cakolli ka paraqitur tre skenarë të mundshëm proceduralë dhe politikë që mund ta përcjellin seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila pritet të mbahet nesër, apo edhe seancat pasuese.
Skenari 1: Konstituimi i suksesshëm i Kuvendit
Sipas këtij skenari, pas hapjes së seancës, verifikimit të mandateve dhe betimit të deputetëve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), si subjekti më i madh parlamentar, propozon kandidatin për Kryetar të Kuvendit.
Nëse kandidatura merr së paku 61 vota – qoftë përmes një marrëveshjeje formale për koalicion apo përkrahjeje joformale nga opozita – atëherë procedohet me zgjedhjen e nënkryetarëve dhe Kuvendi konstituohet plotësisht.
Pas kësaj, Presidentja Vjosa Osmani do t’i dërgojë një letër zyrtare LVV-së për të kërkuar propozimin për mandatarin e Qeverisë. Pasi LVV të përgjigjet me emrin e kandidatit (që pritet të jetë Albin Kurti), Presidentja nxjerr dekretin për nominimin e tij. Mandatari do të ketë afat 15 ditë për të propozuar Qeverinë dhe për të siguruar shumicën parlamentare.
Skenari 2: Pezullimi i seancës për shkak të mungesës së propozimit
Nëse pas hapave të parë, LVV refuzon të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit ose kërkon “konsultime shtesë”, atëherë kryesuesi i seancës, Avni Dehari, duhet ta pezullojë seancën.
Sipas Rregullores së Punës, pezullimi nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë, që do të nënkuptonte mbajtjen e seancave të reja çdo dy ditë. Nëse LVV vazhdon të mos propozojë kandidat, atëherë mund të krijohet një cikël seancash të papërfunduara.
Seanca konstituive, Kuvendi publikon rendin e ditës – vendimtare për formimin e institucioneve të reja
Lexo po ashtu
Seanca konstituive, Kuvendi publikon rendin e ditës – vendimtare për formimin e institucioneve të reja
Ky ngërç mund të shfrytëzohet nga partitë opozitare, të cilat mund të kërkojnë interpretim nga Gjykata Kushtetuese, me arsyetimin se partia fituese po zvarrit procesin e formimit të institucioneve.
Skenari 3: Bllokim që në hapin e parë
Në këtë skenar, duke qenë se LVV nuk e ka shumicën parlamentare, situata mund të bllokohet që në fillim të seancës.
Disa deputetë të LVV-së dhe përfaqësues të pakicave, përfshirë Kryeministrin në detyrë dhe 15 ministra të tjerë, nuk kanë dhënë dorëheqje nga funksionet ekzekutive, ndonëse këtë e kërkon neni 26 i Ligjit për Qeverinë.
Opozita mund të refuzojë të votojë raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, duke kontestuar vlefshmërinë e mandateve të atyre që janë ende në detyrë qeveritare. Pa miratimin e këtij raporti, nuk mund të kryhet betimi i deputetëve dhe Kuvendi nuk mund të kalojë në fazat e tjera.
Ky skenar paraqet një bllokim procedural me bazë juridike, i cili vendos presion mbi anëtarët e kabinetit që të japin dorëheqje, në mënyrë që të mundësohet konstituimi.
Megjithatë, edhe ky skenar nuk është në favor të opozitës, pasi nuk nisin afatet ligjore për formimin e institucioneve nga partia fituese.