Tre shtetas turq, të cilët u arrestuan të premten në xhaminë Al-Aksa në Kudsin e pushtuar Lindor, të shtunën u liruan me kusht nga ana e gjykatës izraelite, transmeton Anadolu Agency (AA).
Dy shtetasit turq, Abdullah Kizilirmak dhe Mehmet Kargili, akuzohen për “sulm ndaj policëve izraelitë dhe për rezistencë”. I treti, Adem Koc, akuzohet për “prishjen e rendit publik dhe prani në demonstrata të ndaluara”.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, më 6 dhjetor njohu Kudsin si “kryeqytet të Izraelit”, pavarësisht kundërshtimit të bashkësisë ndërkombëtare. Vendimi shkaktoi demonstrata të muslimanëve në mbarë botën.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe zyrtarë të tjerë të lartë turq kryesuan opinionin ndërkombëtar që kundërshtoi vendimin e Trumpit.
Të enjten Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me shumicë votash miratoi rezolutën kundër vendimit të Trumpit. Rezultati i votimit ishte 128 pro, nëntë kundër dhe 35 vota abstenim.