Tre pacientë raportohen të vdekur pas evakuimit të nxituar nga Spitali al-Ahli

Razan al-Nahhas, mjeke e urgjencës në Gaza, ka dhënë më shumë detaje mbi pasojat tragjike të evakuimit të detyruar nga Spitali al-Ahli në qytetin e Gazës.

Sipas saj, të paktën tre persona – përfshirë një djalë 12-vjeçar me një dëmtim në kokë – kanë humbur jetën pasi u larguan me nxitim nga spitali. “Ai ishte me oksigjen, si edhe dy pacientët e tjerë, dhe familjarët i shoqëruan në këmbë drejt një spitali të afërt, një objekt i vogël që nuk kishte kapacitet për të pritur kaq shumë pacientë. Dhe ata mbërritën të vdekur,” tha al-Nahhas nga qyteti i Deir el-Balah.

Ajo shtoi: “Ka shumë pacientë në rrugë. Disa ndoshta kanë arritur në spitalin al-Shifa deri tani. Por nuk mund ta përfytyroj dot skenën – pacientë dhe familjarët e tyre të shpërndarë nëpër rrugë, duke kërkuar ndihmë mjekësore. Jam e bindur që shumë prej tyre nuk do t’ia dalin.”

Sipas al-Nahhas, shumica e pacientëve në spitalin al-Ahli kanë plagë të rënda nga shpërthimet. “Shumica janë viktima të traumave të rënda, shpesh me gjymtime të shumta, plagë në kraharor, bark apo kokë, si edhe shumë pacientë me djegie të rënda,” tha ajo.

“Janë pacientë me rrezik të lartë që kanë nevojë për monitorim të vazhdueshëm, jo të shtrirë në rrugë duke u përpjekur të gjejnë një spital tjetër.”