Ballina Artikuj Tre leksione nga hixhreti

Tre leksione nga hixhreti

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Çdo gjë e bukur në fenë tonë është mësimi, ndërsa çdo gjë, bile edhe ndodhia më e vogël nga e kaluarja e jonë e shkëlqyer është leksion me vlerë floriri. Kështu është edhe me hixhretin. Leksionet dhe mesazhet e tij janë të shumtë.
Nuk ka derë pa çelës – nuk ka problem pa zgjidhje.
Në Kuranin fisnik, Allahu i madhërishëm urdhëron dhe këshillon:
“… E kush u përmbahet dispozitave të All-llahut, atij Ai i hap rrugë, dhe e furnizon atë prej nga nuk e kujton fare …” (Et – Talak, 2-3)
Ky verset është vërtetimi më i mirë që për besimtarin e vërtet i cili i frikësohet Allahut dhe mbështetet në Të, nuk ka situatë pa dalje dhe problem pa zgjidhje. Hixhreti është argument për këtë. Si të përshkruhet ndryshe gjendja e vështirë dhe situata e padurueshme e muslimanëve në Mekë para hixhretit pos me fjalët: Problem pa zgjidhje?! Muslimanët ishin të privuar tërësisht nga drejtësia, pamundësi të praktikimit të fesë, lëvizjes dhe pjesëmarrjes në jetën publike. Bile në periudha të caktuara ishin totalisht të izoluar, pa ushqim, ujë, dhe pa asnjë kontakt me botën. Problemi, vërtet dukej pa zgjidhje. Pa zgjidhje dukej edhe situata në të cilën armiqtë e rrethuan shtëpinë ku ishte Muhammedi a.s. me një qëllim të vetëm, për ta vrarë. Dukej se për Pejgamberin a.s. nuk kishte rrugëdalje. Rrugëdalje nuk kishtë edhe kur Suraka, duke dëshiruar shpërblimin e madh të premtuar për atë që e sjell kokën e Muhammedit a.s., e arriti Pejgamberin tonë s.a.v.s. dhe valviti shpatën e tij mbi kokën e tij. Rrugëdalja nuk shihej as në shpellën, kur politeistëve u mjaftonte të uleshin dhe nëpër hyrje të shohin brendinë e shpellës në të cilën ishin Muhammedi a.s. dhe Ebu Bekri r.a.
Të gjitha këto situata ishin pa zgjidhje. Mirëpo, me fe të vërtetë dhe mbështetje në Allahun, Ai japi rrugëdalje dhe zgjidhje. Ta analizojmë pak edhe jetën tonë. Besoj se secili prej nesh do të gjejë së paku një detal ose situatë në të cilën kemi menduar se nuk ka rrugëdalje. Hixhreti na mëson që sikur që nuk ezkistojnë dyer për të cilat nuk ka çelës, ashtu nuk ekziston as problem për të cilin Zoti ynë nuk ka lënë zgjidhje me kusht që tek Ai të besojmë snqerisht dhe tek Ai të mbështetemi me bindje të plotë. Të kemi ndërmend hadithin vijues: “Sikur ju të mbështeteni në Allahun sinqerisht, Ai do t’u furnizojë ashtu siç i furnizon zogjtë, në mëngjes fluturojnë të uritur, e në mbrëmje kthehen të ngopur.” (Tirmidhiu)
Komuniteti është më i afërt se individi – Muhammedi a.s. në mënyrë eksplicite ka kërkuar që të respektohet e drejta e secilit individ por gjithmonë i ka dhënë përparësi komunitetit (bashkësisë). Është e njohur që në momentin e parë e ka liruar një të verbër nga ardhja në namaz të përbashkët, natyrisht për shkak të vështirësive që shkaktojnë ardhjen në xhemat personit të verbër.
Në të njëjtat gjurmë është edhe hixhreti. Muhammedi a.s. nuk e bëri hixhretin për vete apo për ndonjë individ tjetër, hixhretin e bëri kryesisht me qëllim të ruajtjes së xhematit. Ai u nis me Medine, Jethribi i atëhershëm, vetëm kur edhe muslimani i fundit e lëshoi Mekën dhe bëri hixhret. Para kësaj u bind që kushtet e jetës dhe praktikimi normal i fesë në mjedisin e ri të jenë më të përshtatshëm.
Për ta ruajtur xhematin, për ta mbajtur xhematin unik, u detyrua t’i fshijë të gjitha ndryshimet klasore dhe sociale në mes besimtarëve e këtë e bëri përmes vëllazërimit në mes muhaxhirëve të Mekës dhe ensarëve të Medinës. Në këtë mënyrë që nuk është shënuar më parë, bashkoi dhe afroi zemrat e besimtarëve, forcoi xhematin si asnjëherë më parë.
Pos kësaj, Muhammedi a.s. i respektoi dhe vlerësoi të drejtat e komuniteteve tjera në Medinë. Marrëdhëniet në mes tyre i rregulloi me Traktatin e njohur të Medinës i cili kishte rëndësi të jashtëzakonshme për vetë muslimanët por edhe gjithë banorët e Medinës.
Miku i vërtet është begati e madhe – Hixhreti na dërgon mesazh të fortë për rëndësinë e miqësisë, por jo atë nga intersi por thjeshtë nga sinqeriteti. Sahabët bukvalisht kanë garuar cili përpara do t’i dalë tjetrit në takim dhe ndihmë. Në veçanti kjo ishte e dukshme kur ishte në pyetje marrëdhënia ndaj Muhammedit s.a.v.s. Kështu Aliu r.a. e rrezikoi jetën e tij dhe fjeti në shtratin e Muhammedit a.s. ku i ishte përgatitur kurthi dhe mbytja. Rrëfim i veçantë i hixhretit është Ebu Bekri r.a. fisnik të cilin Kurani e përmend si bashkëudhëtar të Muhammedit a.s. dhe shok në shpellë.
Ebu Bekri r.a. ndër të parët e pranoi islamin dhe u bë mik i ngushtë i Muhammedit a.s. të cilit i besonte në skajshmëri. Në realitet besnikëria ishte e ndërsjellë. Kur Pejgamberi s.a.v.s. në një pjesë të natës e bëri Isranë dhe Miraxhin që për kushtet e tanishme është gati largësi e pakalueshme për një kohë aq të shkurtër, dhe kur për këtë tregoi publikisht, mbizotëroi mosbesimi. Shumë këtë lajm e karakterizuan gënjeshtër. Disa tjerë kishin dyshime. Por jo Ebu Bekri. Ai kishte besim të pakufishëm në mikun e tij dhe e dinte që ai flet vetëm të vërtetën dhe kështu e pranoi këtë lajm të çuditshëm. E fitoi ofiqin es-Siddik – i sinqerti. Kështu mbeti deri në fund të jetës. I besoi Muhammedi a.s. ndërsa miqësinë e tij e tregoi edhe gjatë hixhretit i cili ishte hija besnike në rrugën e gjatë në mes Mekës dhe Jethribit. Së bashku përballuan vështirësitë e rrugës dhe së bashku qëndruan në shpellë ku Ebu Bekri r.a. me duar e mbrojti Muhammedin a.s. nga thëmbimi i gjarprit. Përfundimisht, Ebu Bekri r.a. e meritoi që Pejgamberi s.a.v.s. ta vlerësojë në këtë mënyrë: “Sikur imani i Ebu Bekrit të vihej në një tas të peshorës e në tjetrin imani i gjithë ummetit, do të mbipeshonte imani i Ebu Bekrit.”
Miku i nevojitet secilit prej nesh dhe të gjithë do të dëshironim të kemi sa më shumë të tillë që do të mbështetemi dhe te të cilët do të kemi besnikëri të pakushtëzuar.
Shkurt, të gjithë dëshirojmë miq. Por për të pasur vërtet mik, duhet me qenë vetë mik.
Është çmenduri të presim besinkërinë e dikujt nëse nuk e kemi nga ana jonë. Është e pamundur të kërkojmë nga tjerët me qenë të sinqert ndaj nesh e ne nuk jemi të tillë.
Kështu sinqeriteti dhe besnikëria e Ebu Bekrit r.a. është njëri nga leksionet më të mëdha të hixhretit.
Në fund themi:
Besimtarin e vërtet Allahu i madhërishëm asnjëherë nuk e lë duarthatë.
E drejta e xhematit është prioritet.
E dëshirojmë mikun e sinqert, ateherë duhet edhe vetë të jemi të tillë.
O Zot, na jep që Ty të shërbejmë, që fenë tonë ta duam edhe sipas saj të jetojmë.

Amin

Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Exit mobile version