Transportonte nxënës në gjendje të dehur, arrestohet 56-vjeçari

Policia rrugore e Tiranës ka ushtruar një sërë kontrollesh në kryeqytet për transportin e nxënësve në shkolla.

Në kuadër të këtyre masave është arrestuar një 56-vjeçar që transportonte nxënës në zonën e Unazës së Re.

Nga kontrollet e ushtruara në zonën e Unazës së Re ka rezultuar se një drejtues autobusi shkolle që transportonte nxënës drejtonte mjetin pa leje qarkullimi, pa kontrollin teknik të mjetit, pa certifikatë transporti për nxënës, në gjendje të dehur, si dhe debitor, pasi ishte ndëshkuar edhe disa herë të tjera për mospërdorim të rripit të sigurimit.

Nga verifikimi me aparatin Drager ka rezultuar se shtetasi Isuf B., drejtonte autobusin në gjendje tej mase të dehur, ku testi i parë rezultoi 1.38 mg/l dhe testi i dytë 1.47 mg/l.

Në këto kushte është bërë arrestimi në flagrancë i Isuf B., 56 vjeç, për “Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur” parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.

Gjithashtu është bërë bllokimi i mjetit si dhe është përpiluar masa administrative për shkeljet e gjetura gjatë kontrollit.

Policia Rrugore e Tiranës, do të vijojë kontrollet edhe ditët në vijim dhe gjen rastin t’ju bëjë apel prindërve dhe mësuesve, por edhe vetë nxënësve, që të mos pranojnë të qarkullojnë me automjete që vënë në rrezik sigurinë e jetës së fëmijëve