Transparency International: Policia e Kosovës më e besueshmja në Ballkanin Perëndimor

Transparency International në një raport të saj ka konstatuar se Policia e Kosovës është më e pavarura dhe më e besueshmja në Ballkanin Perëndimor

“Policia në Kosovë është në mesin e më të pavarurve dhe më të besuarve në Ballkanin Perëndimor, e kjo për shkak të përzgjedhjes së tyre transparente, emërimit dhe kërkesave ndaj zyrtarëve të saj”, thuhet në raportin e fundit të Transparency International.

Një numër i madh i inspektorëve mbikëqyrës janë aktiv në dhënien e raporteve ditore, të arritura sipas kërkesës. Kështu ka shkruar edhe Raporti i Progresit për Kosovën që u publikua javën e kaluar.

“Megjithatë, çështjet serioze që lidhen me luftën kundër korrupsionit ende mbeten për t’u zgjidhur”, thotë Transparency Internacional.

Partitë politike të Kosovës kanë ndikim të drejtpërdrejtë në vendime strategjike, të tilla si emërimi, kontrollimi dhe shkarkimi i anëtarëve apo drejtorëve të bordeve të NSH’ve, si dhe në aktivitetet e përditshme të kompanive. Kompanitë shtetërore janë punëdhënësit me të mëdhenj në vend.

Transparency International thotë se edhe pse partitë politike janë të detyruara të paraqesin raporte financiare pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), këto raporte janë jo të plota dhe të pasakta, veçanërisht kur është fjala për të zbuluar burimet e të ardhurave të donatorëve privatë. Sipas një ligji, KQZ’ja nuk është më përgjegjëse për auditimin e raporteve financiare të partive, në mënyrë që auditimi i tillë nuk ka ndodhur për vitin 2013 dhe 2014.

Transparency International ka shprehur shqetësim lidhur me mbivendosje institucionale në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit, e cila shkakton konfuzion në mesin e qytetarëve.

“Aktualisht institucione të shumta luajnë një rol në adresimin e korrupsionit, duke përfshirë edhe Këshillin e Presidentit Kundër Korrupsionit, Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit (AKK), Task Forca Anti-Korrupsion në Zyrën e Prokurorisë Speciale, rrjetet e prokurorëve koordinues për rastet e korrupsionit në kuadër të gjashtë zyrave të prokurorisë themelore dhe në Zyrën e Prishtinës, dhe Misioni Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, shkruan në raport.

“Numri i rasteve të korrupsionit të sjella para drejtësisë është i vogël dhe në rënie”, ka vënë në dukje organizata. Numri i tyre ka rënë në mënyrë të konsiderueshme në mes të viteve 2009 dhe 2012, kur komiteti ndërkombëtar u tërhoq dhe autoritetet kombëtare i morën përsipër.