Transformimi i elitës kulturore në elitë politike

Xhafer Sadiku

Pas ndarjes nga jeta të Ibrahim Rugovës, ka një lloj keqkuptimi dhe përdorimi të emrit të tij, kinse ai ka qenë i konvertuar në katolicizën. Duket si një propagandë e qëllimshme, për të manipuluar opinionin publik, pasi kjo do ta zvogëlonte figurën e Rugovës nga intelektual me profil kombëtar, në një politikan me vizion fetar. Ibrahim Rugova, gjatë jetës së tij, ka pasur profil të fortë kombëtar dhe është perceptuar si lider që i bashkonte shqiptarët përtej përkatësive fetare. Historikisht, Ibrahim Rugova njihet për respektin ndaj të gjitha përkatësive fetare në Kosovë dhe për përkushtimin ndaj identitetit kombëtar shqiptar.

 Shkruan: Xhafer SADIKU, Tiranë

Universiteti i Prishtinës, i hapur në vitin 1970, krijoi një elitë të re intelektuale shqiptare, ku studentët dhe profesorët u bënë përhapës të emancipimit dhe përparimit.

Krahas universitetit, ndikim të madh pati Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës. Letërsia e krijuar nga shkrimtarët kosovarë, gjatë viteve 1970-1980, ishte letërsi moderne dhe tregonte një vëmendje të theksuar ndaj çështjeve kombëtare, kulturore dhe historike. Shkrimtarët kosovarë nuk ishin të ideologjizuar me stalinizmin, metodologjinë e realizmit socialist dhe luftën e klasave si kolegët e tyre në Tiranë. Ata e përdorën letërsinë dhe artin si mjet për ta sfiduar regjimin jugosllav.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë lindën rryma që do të ndikonin në jetën politike të Kosovës. Kosova kishte një strukturë politike që i ndiqte parimet e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë (LKJ). Në atë periudhë, Lidhja e Komunistëve të Kosovës (LKK) ishte organi kryesor politik. Në radhët e saj përfshiheshin figura politike dhe grupime që e mbronin autonominë e Kosovës, ndërsa burokracia administrative ishte më e afërt me qëndrimet centraliste të udhëheqjes jugosllave.

Rrymat ilegale kërkonin më shumë të drejta për shqiptarët, përfshirë avancimin e statusit të Kosovës deri në nivel republike në kuadër të Jugosllavisë ose shkëputjen nga Jugosllavia. Aktivistë të grupeve të vogla, si Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), dhe organizata të tjera ilegale e promovonin idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Lëvizjet për të drejta civile dhe kulturore përfaqësoheshin kryesisht nga intelektualë dhe studentë që angazhoheshin për barazi të shqiptarëve brenda sistemit jugosllav.

Kërkesat për përdorimin e simbolikës kombëtare dhe të drejta të barabarta për shqiptarët ishin elemente kryesorë dhe përbashkues të këtyre rrymave.

Elita kulturore nën presionin e nacionalizmit serb dhe ideologjisë marksiste 

Gjatë viteve 1970-1980 elita kulturore e Kosovës pati rritje jo vetëm sasiore, por edhe cilësore. Ajo përballej me presione nga dy anë të ndryshme: nga asimilimi i nacionalizmit serb dhe nga ideologjia marksiste që vinte nga regjimi stalinist i Tiranës.

Nacionalizmi serb kërkonte që letërsia dhe arti në Kosovë të integrohej në letërsinë dhe kulturën jugosllave, ndërsa regjimi i Tiranës donte t’ia impononte metodologjinë e realizmit socialist me partishmërinë komuniste dhe luftën e klasave.

Gjatë vizitave të shkrimtarëve kosovarë në Shqipërinë komuniste, ata mbaheshin nën kontroll nga Sigurimi i Shtetit, ndërsa gjatë vizitës së shkrimtarëve të Tiranës në Kosovë, Sigurimi i Shtetit e ngarkonte rrjetin e tij me detyrë të mblidhte informata për qëndrimet politike të shkrimtarëve dhe artistëve të Kosovës. Raportet e Sigurimit të Shtetit gjatë atyre viteve janë të mbushura me informacione të hollësishme.

Në përgjithësi, shkrimtarët dhe artistët kosovarë kishin ndryshime të mëdha cilësore dhe konceptuale krahasuar me kolegët e tyre nga Tirana. Sipas raporteve të Sigurimit, gjatë një turneu të Teatrit Popullor të Tiranës në Kosovë, intelektualët e Kosovës beꬵasoheshin se si në Tiranë nuk kishin lexuar asgjë për Frojdin, ndërsa propagandës staliniste të aktorëve nga Tirana artistët e Kosovës u ishin përgjigjur se ata e konsideronin Stalinin si kriminel, ndryshe nga Tirana që e vlerësonte si klasik.

Propaganda staliniste e regjimit komunist të Tiranës nuk pati ndikim të madh në elitën kulturore të Kosovës, përjashtuar një pakicë që e identikonte Shqipërinë me Partinë e Punës së Shqipërisë dhe diktatorin e saj.

Elita kulturore e Kosovës, ku një rol të rëndësishëm kishte Ibrahim Rugova, ndoqi një rrugë tjetër: ata kultivuan një kulturë intelektuale, që u kundërvihej presioneve serbe dhe ndikimeve ideologjike, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje të pavarur kulturore.

Ibrahim Rugova, si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1978-1981), ndikoi që letërsia dhe kultura të shërbenin si një mjet rezistence kundër përpjekjeve për asimilim. Ai i mbështeti krijuesit shqiptarë që e trajtonin tematikën e identitetit kombëtar, duke e forcuar kështu vetëdijen kombëtare përmes artit dhe letërsisë.

Elita politike dhe kulturore e Kosovës e ruajti dhe e pasuroi traditën e kulturës popullore shqiptare, ndryshe nga regjimi i Tiranës që e ideologjizoi. Propaganda marksiste e regjimit në Shqipëri e tjetërsoi jo vetëm kulturën kombëtare, por edhe njeriun shqiptar, duke formuar tek mbështetësit e tij atë që komunistët e quanin “njeriu i ri”. Deri në fund të viteve ’60-të, në Shqipëri pak kishte mbetur nga trashëgimia kulturore, kurse në Kosovë ishte ruajtur dhe lulëzonte.

Diferencat e vizioneve midis Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë vërehej edhe midis shkrimtarëve kryesorë respektivë dhe veprave të tyre. Dallimet pasqyroheshin jo vetëm në qasjet letrare dhe ideologjike të shkrimtarëve, por edhe në përmbajtjen dhe mesazhet e veprave të tyre. Rugova dhe pothuajse tërë krijuesit kosovarë ishin kritikë ndaj ndikimit të ideologjisë marksiste-leniniste dhe luftës së klasave, të cilat zbatoheshin nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ata besonin se kjo ideologji nuk i përshtatej realitetit dhe interesave kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Qëndrimi i ftohtë i shkrimtarëve kryesorë të Tiranës me Ibrahim Rugovën tregonte në njëfarë mase edhe diferencat që ata i kishin midis tyre jo vetëm në fushën e letërsisë, por edhe në vizionet politike të ndryshme për çështje të njëjta.

Ibrahim Rugova, nën drejtimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, diti t’i shmangte ndikimet marksiste që vinin nga Shqipëria, nëpërmjet letërsisë dhe autorëve të realizmit socialist që synonin t’u jepnin qëndrimeve kombëtare identitet ideologjik marksist. Ai luajti një rol të rëndësishëm në promovimin e një letërsie që synonte ta ruante identitetin kulturor dhe kombëtar të Kosovës.

Transformimet politike: nga elita kulturore në elitë politike

Pas formimit të LDK-së më 1989, Ibrahim Rugova dhe pjesa më e madhe e elitës kulturore e transformuan aktivitetin e tyre në një udhëheqje politike, që u bë simbol i rezistencës paqësore të shqiptarëve të Kosovës. Në kushte të represionit dhe tentativave për asimilim, ata luajtën rol të rëndësishëm në nxitjen e aktiviteteve kulturore, gjuhësore dhe historike, që e ruanin identitetin kombëtar. Përmes këtyre aktiviteteve, kultura shqiptare mbeti e gjallë dhe e paprekur dhe u krijua kështu një model unik i rezistencës paqësore që e përballoi me sukses trysninë e asimilimit.

Rugova dhe elita politike e dalë nga elita kulturore punuan për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, duke kërkuar mbështetje nga vendet perëndimore dhe organizatat ndërkombëtare. Ata e projektuan imazhin e Kosovës si një popull që luftonte për liri dhe të drejta njerëzore, larg ideologjive totalitare. Platforma politike e tyre e theksonte rëndësinë e një shteti të bazuar në parimet e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe respektimit të pluralizmit politik.

Ibrahim Rugova punoi për të krijuar një kohezion politik brenda shqiptarëve të Kosovës, duke i minimizuar ndasitë ideologjike dhe duke i orientuar drejt një qëllimi të përbashkët: pavarësinë e Kosovës. Ai promovoi një qasje paqësore ndaj çështjeve politike dhe kombëtare, duke vënë theksin në dialogun dhe durimin. Kjo filozofi e kishte burimin në traditën humaniste dhe vizionin e tij intelektual për një shoqëri demokratike dhe të civilizuar.

Roli i Ibrahim Rugovës në bashkimin e popullit shqiptar në Kosovë, gjatë viteve të okupimit serb, është historik. Ai besonte se rezistenca paqësore ishte mënyra më e mirë për ta shmangur përshkallëzimin e konfliktit dhe për t’i ruajtur jetët e qytetarëve. Për t’i shmangur ndarjet politike, ideologjike ose regjionale brenda shoqërisë shqiptare, ai arriti të krijonte një vizion të përbashkët për popullin shqiptar. Shqiptarët u mobilizuan në mënyrë të organizuar për t’i mbrojtur të drejtat dhe për ta ruajtur integritetin e tyre si popull. Strukturat paralele ishin një shembull i qartë i aftësisë së shoqërisë kosovare për organizimin dhe funksionimin e pavarur të shqiptarëve. Kjo formë e mosbindjes civile për të kërkuar të drejtat e tyre përmes mjeteve politike dhe diplomatike në një rajon ku dhuna shpeshherë shihej si mjeti kryesor i zgjidhjes së konflikteve, ishte e re dhe efikase.

Gjatë lidershipit të tij, Rugova arriti t’i bashkonte shqiptarët e Kosovës rreth një vizioni të përbashkët për liri dhe pavarësi, duke i tejkaluar përçarjet politike ose ideologjike.

Si një intelektual dhe akademik, Rugova e konsideronte kulturën dhe gjuhën kombëtare si elementë të rëndësishëm për ruajtjen e identitetit. Për këtë qëllim, ai i promovoi vlerat kulturore dhe historike të shqiptarëve.

Trashëgimia politike e Rugovës dhe mësimet prej saj

Ibrahim Rugova, duke qenë njeri i letërsisë, kulturës dhe artit dhe i paideologjizuar nga marksizmi, shihej si një figurë unifikuese dhe simbol i unitetit për shqiptarët e Kosovës. Intelektualët dhe qytetarët e vlerësonin si një lider që përfaqësonte zërin e arsyes dhe aspiratat për liri e pavarësi.

Filozofia e Ibrahim Rugovës për rezistencën paqësore i dha Kosovës mbështetje të konsiderueshme ndërkombëtare. Ai u perceptua si një lider i moderuar dhe vizionar, duke kontrastuar me imazhin e liderëve të tjerë të Ballkanit, që shpesh shfrytëzonin retorikë nacionaliste dhe taktika agresive. Kjo ndihmoi në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në tërheqjen e vëmendjes së komunitetit ndërkombëtar.

Në rolin si presidenti i parë i zgjedhur i Kosovës, ai ishte një nga figurat më të respektuara nga komuniteti ndërkombëtar. Rugova ishte i njohur për modestinë dhe përkushtimin ndaj popullit të tij, duke e shmangur arrogancën dhe luksin që shpesh i karakterizon liderët politikë.

Ibrahim Rugova mbetet një figurë qendrore në historiografinë dhe kulturën shqiptare si model i një lideri që kombinon urtësinë, kulturën dhe vizionin politik. Ai arriti të sintetizonte rreth një programi të gjerë grupet me vizione të ndryshme dhe të arrinte sukses. Ideja e tij për paqe dhe demokraci mbetet një ideal për rajonin dhe një shembull për zgjidhjen e konflikteve në mënyrë paqësore, edhe në kontekste të vështira.

Rugova shihet si një lider i urtë dhe largpamës, që zgjodhi një rrugë paqësore për ta mbrojtur popullin e tij dhe për ta mbajtur të gjallë shpresën për liri dhe pavarësi. Filozofia e Rugovës tregon se rezistenca paqësore mund të jetë një mjet efektiv për ta mobilizuar shoqërinë dhe për të siguruar mbështetje ndërkombëtare, veçanërisht kur kombinohet me strategji diplomatike të mençura. Bashkimi i shqiptarëve dhe strategjia e tij paqësore hodhi themelet për transformimet politike që pasuan dhe çuan në pavarësinë e Kosovës.

Me gjithë meritat e Ibrahim Rugovës, çlirimi i Kosovës nga sundimi i Serbisë nuk mund të ndodhte vetëm me rezistencë paqësore, pasi për ta arritur këtë, duhen dy palë që të zgjedhin e përdorin mjete paqësore. Serbia përdori dhunën dhe, në atë kontekst, kërkohej dhe u përdor rezistenca aktive.

Lidershipi i sotëm mund të nxjerrë mësime nga trashëgimia politike e Ibrahim Rugovës. Ai mbetet një shembull për mënyrën se si një lider mund të shërbejë si simbol i unitetit dhe maturisë kombëtare, duke kombinuar pragmatizmin politik me parimet morale.

Modestia dhe përkushtimi ndaj interesave të qytetarëve e forcojnë besimin e publikut dhe legjitimitetin e lidershipit. Për të arritur objektivat kombëtare, është e domosdoshme shmangia e ndarjeve të panevojshme ideologjike, duke bashkëpunuar e harmonizuar vizionet e ndryshme.

Investimi në kulturë dhe arsim, në mënyrë të veçantë ruajtja dhe pasurimi i gjuhës shqipe, janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e identitetit kombëtar në kushtet e reja për shqiptarët.

Keqkuptimet pas Rugovës  

Pas ndarjes nga jeta të Ibrahim Rugovës, ka një lloj keqkuptimi dhe përdorimi të emrit të tij, kinse ai ka qenë i konvertuar në katolicizën. Duket si një propagandë e qëllimshme, për të manipuluar opinionin publik, pasi kjo do ta zvogëlonte figurën e Rugovës nga intelektual me profil kombëtar, në një politikan me vizion fetar. Ibrahim Rugova, gjatë jetës së tij, ka pasur profil të fortë kombëtar dhe është perceptuar si lider që i bashkonte shqiptarët përtej përkatësive fetare.

Historikisht, Ibrahim Rugova njihet për respektin ndaj të gjitha përkatësive fetare në Kosovë dhe për përkushtimin ndaj identitetit kombëtar shqiptar.

Manipulimi i kujtimit dhe trashëgimisë së Ibrahim Rugovës, përmes përhapjes së teorive të pabazuara, e dëmton figurën e tij si simbol unifikues. Rugova duhet të kujtohet për vlerat e tij kombëtare, përkushtimin ndaj kulturës shqiptare dhe rolin vendimtar në krijimin e Kosovës së pavarur. /revistashenja