Trajneri shqiptar nga Shkupi, Oktay Mahmuti do të drejtojë klubin basketbollistik të Galatasaray Odeabank, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim publikuar nga ueb faqja e klubit kuq e verdhë, theksohet se është arritur marrëveshje 1.5 vjeçare me trajnerin Mahmuti.
Trajneri me përvojë, i cili ka lindur më 6 mars 1968 edhe më parë kishte drejtuar Galatasaray-in, mes viteve 2010 dhe 2012.
Ai pjesën më të madhe të karrierës së tij e kaloi në Anadolu Efes, ku në sezonin 1992-1993 e mori detyrën ndihmës trajner, ndërsa ishte pjesë e stafit që fitoi kupën Koraç në vitin 1996.
Që nga sezoni 2000-2001 ai filloi të drejtoj Anadolu Efes si trajner, ku arriti të fitojë 4 kampionate në ligën e Turqisë.
Në sezonin 2007-2008 arriti marrëveshje me klubin italian Benetton Treviso, ndërsa në vitin 2010 kaloi në Galatasaray. Mahmuti më pas drejtoi sërish Anadolu Efes dhe Darüşşafaka.