Trajneri i Brightonit, Fabian Huerzeler, ka vlerësuar punën e krerëve të klubit për transferimin e mesfushorit shqiptar Brajan Gruda.
Gruda të mërkurën mbrëma u prezantua te Brightoni, që garon në Premier League të Anglisë. Gruda, i cili u transferua nga Mainzi i Bundesligës gjermane për rreth 35 milionë euro, ka nënshkruar kontratë me skuadrën angleze deri në qershor të vitit 2028.
Raportohet se trajneri 31-vjeçar i Brightonit, Huerzeler, pati ndikim për transferimin e Grudës nga Mainzi.
“Nuk do të thosha se ai është tipik gjerman. Mendoj se ai ka aftësi të shkëlqyera me topin. Është si lojtar i rrugës, siç themi ne në Gjermani. Ai dëshiron të driblojë, ta ketë topin në këmbët e tij. Ai mund të bëjë gjëra të veçanta”, ka thënë Huerzeler, shkruan “yahoo” të enjten.
Ai ka thënë se Grudës i duhet kohë për t’u përshtatur në futbollin anglez.
“Duhet t’i japim Brajanit kohë. Ai vjen nga Gjermania dhe është i ri. Këtu është tjetër kulturë. Premier League është liga më e fortë në botë. Ne do të mundohemi ta integrojmë atë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe t’i japim atij përkrahjen dhe ndihmën që i duhet, njësoj si futbollistëve të tjerë. Do të mundohemi ta zhvillojmë dhe ta bëjmë gati për Premier League”, ka shtuar 31-vjeçari.
20-vjeçari debutoi me ekipin e parë të Mainzit në edicionin e kaluar, kur luajti në 28 ndeshje në Bundesligë.
Kontribuoi në shpëtimin e klubit nga rënia prej elitës gjermane, me katër gola e tri asistime.
Brajani, babai i të cilit luajti në Kupën e UEFA-s për Vllazninë e Shkodrës, karrierën e nisi te të rinjtë e FC Speyer, para se t’i bashkohej Karlsruherit në vitin 2015, ku i kaloi tri sezone, para se t’i bashkohej Mainzit në vitin 2018.
Në Bundesligë, Gruda debutoi në vitin 2023 si 18-vjeçar kundër Borussia Dortmundit. Ai ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Gjermanisë nga mosha 15-vjeçare. Me U21 të Gjermanisë ka shtatë paraqitje.
Më herët gjatë këtij viti stërviti me Gjermaninë, para nisjes së Evropianit 2024. Ai lëshoi më herët kampin stërvitor për shkak të lëndimit. Ishte potencial për t’u përfshirë në ekipin e Gjermanisë për “Euro 2024”.