Skuadra e Prishtinës po vazhdon fazën përgatitore në Turqi për sezonin 2024/25 në Superligën e Kosovës në futboll.
Nën urdhrat e trajnerit nga Franca, Jean-Michel Cavalli, ekipi po përgatitet intensivisht dhe në mënyrën më të mirë të mundshme që ta ketë një paraqitje sa më të mirë në sezonin e ri.
Krahas ndryshimeve në shtabin teknik, Prishtina ka ristrukturuar edhe ekipin ndërsa ndeshjen e parë në sezonin e ri e luan në shtëpi kundër Suharekës.
Trajneri Cavalli në një intervistë për faqen e klubit, ka folur për përgatitjet dhe synimet që i ka me Prishtinën. Ai nuk ka hezituar të pranoj se në Kosovë ka ardhur për ta fituar titullin e kampionit.
“Prishtina është emër i madh dhe para se të vija këtu kam pasur njohuri dhe informata për klubin. Kam ardhur këtu me objektivin e qartë, pra dua të fitoj titullin. Kam pasur një karrierë të suksesshme në shumë vende dhe dëshira ime është të fitoj edhe këtu. Mesazhi për ‘Plisat’ është se jam i sigurt se do ta ngrisim lartë Prishtinën dhe jam i bindur se ekipi është i gatshëm dhe besoj se do të arrijmë ta fitojmë titullin”, ka thënë ndër të tjera Cavalli.
Sezonin e fundit, Prishtina përfundoi në pozitën e pestë në tabelë, gjë që i pamundësoi daljen në garat evropian. Po ashtu, Prishtina e fitoi Superkupën e Kosovës dhe luajti në finalen e kupës, ku u mposht nga Ballkani.