Tashmë ngadalë po kuptohet gjithandej se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë një trajektore autentike historike dhe politike, që i bën të jenë faktor vendimtar në funksionimin e shtetit, por në të njëjtën kohë edhe substancë historike dhe kulturore thellësisht europiane në konfiguracionin e dinamikave gjeopolitike. Ata, gjatë tërë kohës, kanë afirmuar idenë e barabarësisë së plotë në tërësinë institucionale të Maqedonisë së Veriut dhe ky përcaktim mbetet paradigmë politike dhe vullnet i pandryshuar edhe aktualisht, por edhe për kohët që vijnë.
Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë
Prania e shqiptarëve në gjeografinë historike të Maqedonisë, tashmë Maqedonisë së Veriut, ka qenë e përhershme dhe kjo dëshmohet nëpërmjet shumë burimeve historike relevante, të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Trajektorja e ekzistencës shqiptare është e lashtë dhe shtrihet përgjatë të gjitha epokave të historisë. Sigurisht, kjo prani e padiskutueshme përgjatë rrugës së historisë ka pasur diellzëniet e veta, të cilat janë krijuar nga fuqitë e shtrirjes së perandorive, por pa arritur që ta zhbëjnë këtë gjallni autentike historike dhe kompaktësi territori në kuptimin gjeografik dhe historik, gjithmonë në korrelacion me pjesën tjetër të gjeografisë shqiptare, e cila gjithashtu ka kaluar në po të njëjtat sprova historike dhe ekzistenciale. Kjo faktografi historike tashmë është e eksploruar nga shumë autorë shqiptarë dhe të huaj, ndërkohë që mbetet fakt primordial gjallnia shqiptare edhe në këtë pjesë të gjeografisë historike shqiptare, që vjen si prani dhe trashëgimi iliro-dardane.
Pikërisht ky dimension i autoktonisë vjen si një argument historik dhe politik edhe përgjatë periudhës më të fundit njëqindvjeçare, në të cilën shënohen edhe sprovat më të mëdha të shqiptarëve dhe në veçanti të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Luftërat ballkanike, Lufta e Parë dhe Lufta e Dytë Botërore, rikonfigurimet politiko-shtetërore përgjatë kësaj periudhe rirreshtimesh gjeostrategjike e dekompozuan këtë kompaktësi gjeografike dhe e fragmentarizuan qenien historike shqiptare në realitete tjera politike, të cilat do ta atakojnë pandërprerë ekzistencën autentike historike.
Deri para Luftës së Dytë Botërore shqiptarët me shumë vështirësi dhe me shumë atakime e ruajtën tërësinë identitare politike dhe kjo falë platformës politike dhe kulturore të Rilindjes Kombëtare, e cila kishte krijuar, me shumë përpjekje mbinjerëzore, matricën e identifikimit të veçantë politik dhe kulturor. Në rrafshin politik do të jetë Lidhja e Prizrenit si një ngjarje e gjeografisë morale të shqiptarëve, që do ta determinojë pikërisht këtë perceptim të përbashkët të përkatësisë kombëtare dhe kulturore, që realisht do të vazhdojë në forma tjera edhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur tashmë kemi një situatë krejtësisht tjetër të perceptimit të shfytyruar në dhëmbëzorët e ideologjisë komuniste, e cila në esencë atakonte pikërisht substancën kombëtariste të shqiptarëve.
Edhe përgjatë periudhës deri në Luftën e Dytë Botërore, shqiptarët do ta ruajnë perceptimin e tërësuar, perceptimin e identifikimit të përbashkët si idealitetit historik nëpërmjet shumë nismave arsimore dhe kulturore, që do të jenë edhe fije ndërlidhëse të pashkatërrueshme të identitetit kombëtar, pavarësisht realiteteve të tjera të krijuara sidomos gjatë periudhës së ish Jugosllavisë, në të cilën shqiptarët, sidomos të Maqedonisë së Veriut, njohën diskriminim më të madh të mundshëm kombëtar, politik dhe kulturor. Në fakt, pas krijimit të republikës së atëhershme të Maqedonisë, në kuadër të federatës jugosllave, shqiptarët e Maqedonisë e njohën zezonën më të thellë të mohimit, të sakatimit kombëtar, arsimor dhe kulturor. Janë me qindra fakte që e dëshmojnë këtë diskriminim permanent, sidomos në sferën e arsimit dhe të kulturës, por edhe të përfshirjes së shqiptarëve në institucionet e Republikës së Maqedonisë së atëhershme.
Edhe në kuadër të kësaj ngushtice sakatimesh ideologjike etatiste, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të përpiqen ta afirmojnë identitetin e tyre të veçantë kulturor, duke rezistuar dhe duke afishuar pandërprerë vullnetin e tyre për më tepër arsim dhe kulturë për qenësinë e tyre. Kjo shënon një nga periudhat më të rënda për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, në të cilën ata thjesht do të jenë një identitet i ndaluar, një identitet i dëbuar në mosprani institucionale dhe kulturore. Do t’iu lejohej vetëm një mbijetesë e hollë folklorike dhe kulturore me shumë kufizime dhe me shumë eksperimente ideologjish dominuese, pavarësisht nga demografia dhe prania e tyre historike në gjeografinë mbi të cilën ishte ngritur republika e atëhershme e Maqedonisë si njësi federative e ish Jugosllavisë.
Kjo periudhë lirshëm mund të pagëzohet si golgotë fatkeqe e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, një periudhë sakatimesh identitare dhe kulturore, por që njohu në anën tjetër një rezistencë kombtariste thellësisht arsimore dhe kulturore.
Pikërisht kjo rezistencë kombtariste do të shtrihet edhe në periudhën e fillimeve të demokracisë, të pluralizmit politik, si një vullnet autentik afirmimesh politike dhe kulturore, si një zë vazhdimësie historike, por tashmë në rrethana krejtësisht të reja politike. Pavarësisht hapjes formale të horizontit politik, hijet e së kaluarës do të shtrihen edhe njëherë mbi fatin e shqiptarëve si kolektivitet me identitet të veçantë kulturor në formë kufizimesh të reja, restrikcionesh dhe formulimesh të deplasuara që nuk përkonin me realitetin multietnik dhe multikulturor të shtetit të ri të Maqedonisë. Do të vazhdojë të mbetet tipike mendësia e ngritjes dhe e performimit të njëanshëm monoetnik të shtetit të Maqedonisë në kundërshtim me vullnetin e shqiptarëve për barabarësi të plotë në të gjitha nivelet institucionale të shtetit.
Kjo do të shënojë një periudhë të refuzimit të njëanshëm të çdo aspirate të shqiptarëve për të qenë pjesë e pandashme e ndërtimit të shtetit multietnik dhe multikulturor deri në vitin 2001, kur realisht ndodh kthesa historike, kur arrin kulmi e dëshpërimit, por edhe i vullnetit të shqiptarëve për ndryshim dhe për avancim të statusit të tyre juridiko-kushtetues, që sanksionohet me Marrëveshjen e Ohrit. Kjo është faza kur shqiptarët si kolektivitet zhvendosen në një hapësirë tjetër barabarësie, e cila do të përcillet me shumë ngërçe, debate dhe pakënaqësi për vetë faktin që kjo marrëveshje e garantuar edhe nga faktori ndërkombëtar nuk do të mund të gjejë zbatimin e vetë të plotë, përkundër shumë formulimeve dualiste përsëri kufizuese për shqiptarët dhe që interpretoheshin ose në rrugë e sipër riformuloheshin në bazë të mendësisë së vjetër të dominimit monoetnik.
Ky proces i afirmimit dhe etablimit të identitetit politik dhe kulturor të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriu do të mbetet i pakryer sot e kësaj dite, sidomos në sferën e së drejtës së gjuhës dhe kultivimit të mëvetësishëm kulturor, që e nënkupton imperativin e barabarësisë institucionale në gjithë planimetrinë e shtetit.
Që nga fillimet e demokracisë dhe të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, shqiptarët e kanë afishuar politikisht aspiratën e tyre historike për barabarësi në tërësinë institucionale të Maqedonisë së Veriut. Pavarësisht disa përparimeve në këtë drejtim, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut akoma nuk kanë arritur që këtë barabarësi ta shtrijnë në sistemin institucional si identitet i veçantë dhe si popull shtetformues. Sidoqoftë, perceptimi i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për veten si një entitet i veçantë historik, kulturor dhe politik mbetet përhershmëri e paradigmës kombëtariste të vendosur nga Rilindja Kombëtare, por që tashmë kërkon afirmim të plotë në konceptin e shtetit multietnik, ashtu siç e perceptojnë Maqedoninë e Veriut dhe ashtu siç duhet të jetë realisht ky shtet, që vazhdimisht pengohet në drejtim të përvetësimit të koncepteve të reja moderne të barabarësisë nga mendje të deplasuara që akoma kërkojnë të ruajnë hijet e dominimeve të periudhave të shkuara.
Pikërisht, kjo trajektore autentike e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, në shumë raste nuk njihet nga protagonistë të jetës publike, sidomos të atyre në Shqipëri, të cilët çuditërisht, herë-herë konvergjojnë në definime, të cilat në të kaluarën kanë qenë fatale për shqiptarët. Janë perceptime kalimthi, paradoksale, që nuk e njohin trajektoren historike, por që njohin vetëm momente të përkohshme politike dhe pushtetare. Nganjëherë, mbase për të “ruajtur” ekuilibra gjeostrategjike, e shfytyrojnë perceptimin për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në definime që vlejnë për pakicat kombëtare, ndërkohë që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, si për nga numri, për nga prania historike, për nga potenca politike dhe ekonomike, në asnjë rast nuk mund të futen në këto definime.
Sidoqoftë, tashmë ngadalë po kuptohet gjithandej se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë një trajektore autentike historike dhe politike, që i bën të jenë faktor vendimtar në funksionimin e shtetit, por në të njëjtën kohë edhe substancë historike dhe kulturore thellësisht europiane në konfiguracionin e dinamikave gjeopolitike. Ata, gjatë tërë kohës, e kanë afirmuar idenë e barabarësisë së plotë në tërësinë institucionale të Maqedonisë së Veriut dhe ky përcaktim mbetet paradigmë politike dhe vullnet i pandryshuar edhe aktualisht, por edhe për kohët që vijnë. Ky vetëpërcpetim identitar kërkon shtrirje në konceptin e shtetit, kërkon dinamika të reja, që janë tërësisht komplementare me konceptin europian të ndryshmërive etnike dhe kulturore të shteteve multietnike.
Përgjithësisht, ky vetëperceptim mbetet përhershmëri politike dhe kulturore e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, që nuk varet nga definimet që mund të vijnë nga të tjerët, nga ata që nuk e njohin realitetin e ekzistencë së tyre, sepse është ndjeshmëri e kristalizuar historike e një populli që kërkon barabarësi të plotë në shtet. /revistashenja