Tragjedia si ndërgjegje e shkëputur e një realiteti politik

Tragjedia është mundësia e vetme për purifikimin njerëzor. Ajo është mundësi e një reflektimi më të thellë rreth ecejakut dhe trajektores njerëzore. Por në sensin tonë kolektiv tragjedia, përfshi djegien e spitalit modular në Tetovë e aksidentin e autobusit në Bullgari, mbetet veç një ngjarje episodike e një vazhdimësie të një realiteti të brishtë politik. Prandaj, tragjedia duhet të jetë një shkëputje e vërtetë dhe metafizike për përgjegjësinë njerëzore dhe reflektuar mbi vazhdimësinë e saj, deri sa të bindemi se nuk ka kompromis me paprekshmërinë e jetës dhe të drejtës për jetë

Nga Latif MUSTAFA

Shkundjet e lehta të autobusit i ndjenë befshëm. Gjysmë i fjetur e gjysmë i zgjuar, gjysmë në ëndërr e gjysmë në imagjinatë vërdallosesh në kujtime, ku copëza imagjinate të së ardhmes ndërhyjnë si prerje në këto histori. Trupi është dërrmuar i tëri. Kohë pas kohe lëviz krahun për të prekur aty pranë teje, në ulësen përbri, njeriun tënd të dashur, dhe qetësohesh porsa ndjen ngrohtësinë e tij. Ritmi i lëkundjeve monotone befas ndërron drastikisht. Shembje në vend të lëkundjeve. Trupi yt gjysmë i lodhur, gjysmë i fjetur përton të zgjohet e të shohë se ç’po ndodh përreth tij, apo kjo thjesht është një pjesë e ëndrrave si pasojë e stërlodhjes nga shëtitja disaditore. Britmat e mëdha të shpojnë në zemër. Autobusi është mbushur tym i tëri. Zemra të rreh aq fort sa që të del nga gjoksi. Frymëmarrja të është vështirësuar nga rrahjet e zemrës dhe frymëmarrja e shpejt. Midis britmash fëmijësh, i ngecur në ulësen e autobusit, dëshiron të ndihmosh po s’mundesh. Para syve dhe në mendje shpërfaqet si shirit i shkëputur jeta e jote e shpifur, me pak kënaqësi dhe kaq e shkurtër. “Nuk duhej të përfundonte kështu,” i thua vetes. Për një moment, flakët kapin gjithë hapësirën e brendshme, dhe tani ka marrë fund çdo dhimbje dhe kujtim. Tanimë, koha jote ka mbaruar dhe i je plandosur pafundësisë. Të paktën je në një botë ku s’ka më vdekje! Shuhesh në flakën e pafundësisë qiellore.

Është e vështirë, tepër e rëndë dhe sfilitëse që të krijosh të paktën një skenë të shkurtër tragjedie dhe përdëllimi, në lidhje me udhëtarët që humbën jetën në autobusin që po udhëtonte nga Stambolli për në Shkup. Njeriu nuk mund të përjetojë dhimbjen e tjetrit. Aq më pak vdekjen e tjetrit. Por edhe sikur të përpiqej ta egoizonte dhembjen e tij duke e kthyer në veten, fëmijën, gruan dhe në më të dashurin e tij, prapëseprapë dhembja mbetet diçka thellësisht individuale, përjetimi i së cilës është specifik për secilin më vete. Madje edhe kur humbim dikë dhe mërzitemi, më shumë mërzitemi për veten se për tjetrin. Mërzitemi për veten ngaqë tjetri që vdiq nuk do të jetë më pranë nesh, që ne të ndiejmë kënaqësi gjersa e kënaqim atë. Njeriu nuk njeh tragjedi tjetër pos tragjedinë e vetes. Pos fundin tragjik të tij. Sa herë që dëgjon për tragjedi dhe vdekje, fillimisht, mundohet t’i refuzojë ngaqë ato i krijojnë imazhin e apokalipsit të tij, dhe, më pastaj, fillon t’i relativizojë krejt, dhe, në fund i shndërron në një çirrje dhe britmë ndaj realitetit politik duke drejtuar gishtin e fajësisë drejt botës dhe hallkut jashtë. Pas gjithë këtij ekzaltimi dhe shfrenimi psikotik, ai ndjehet më i qetë dhe me mision të përfunduar ndaj një tragjedie që ka ndodhur diku larg atje.

Në realitetet tona të përditshme, tragjeditë janë shkëputje nga realiteti i gërditshëm politik. Tragjeditë janë një mundësi për gjithkënd. Dikush ripërtërinë dhimbjen, dikush e freskon botëkuptimin për jetën dhe befshmërinë e brishtë të saj, dikush e instrumentalizon për shfryrje politike ndaj kastës sunduese, e për dikë është veç ndryshim i një agjende mediatike. Në grupe më të mëdha e më të vogla, gjithkush është i përfshirë në grupet më lartë, pa mohuar edhe përjetimet disadimensionale dhe shumështresore. Kryeprokurori vëzhgon viktimat krejt i ftohtë, dhe me bindjen më empirike, për ta parë situatën nga afër dhe për të qenë objektiv në lidhje me të – pra, ai mbetet krejt racional dhe i ftohtë. Megjithatë, ndryshe e përjeton një familjar i cili ka humbur familjen aty; më ndryshe e përjeton një nënë e re gjersa sheh fotot e fëmijëve në autobus dhe shtrëngon fëmijën e saj për t’u siguruar në e ka pranë vetes; ndryshe një opozitar i cili vrullshëm kërkon përgjigjen nga kryetari i ndonjë partie, apo tragjedinë e njëjtëson me ndonjë subjekt politik; dhe krejt më ndryshe e shohin individët të cilët kanë bindje më të thellë për realitetin, jetën dhe vdekjen.
Dëmtimin e kujtesës së gjatë, gjegjësisht kujtesës epizodike, e bën përkohshmëria dhe lidhja e fortë me rrjetet sociale, me ç’rast agjendën tonë ditore e përcaktojnë postimet dhe realitetet e shpikura dhe manipulative në rrjetet sociale. Dëmtimi i kësaj kujtese plasaritë dhe shkërmoqë ndërgjegjen njerëzore. Ndërgjegjja nuk është asgjë më shumë se guida për shfrytëzimin e duhur të vullnetit tonë, dhe gatishmëria për t’u përgjigjur për këto veprime. Për disa momente, gjersa empatia e krijuar për dhembjen me viktimat dhe të afërmit e tyre krijon dhe shpërfaq një ndërgjegje më revoltuese, e cila kërkon përgjegjësinë e atyre që ishin shkaktarët të kësaj tragjedie, në anën tjetër të qenit të ndikuar nga hëpërhëshmëria e dinamikës dhe realiteteve të shpikura në rrjetet sociale, kjo ndërgjegje empatizuese fillon të kamufluohet, gjunjëzohet dhe në përgjithësi dëmton kujtesën afatgjatë episodike duke na bërë apatik për gjendjet eksplicite të kaluara ditë dhe kohë të caktuara.

Fatkeqësia edhe më e madhe është boomerang-u kur ideologjia mbizotëruese politike, e cila është sipërfaqësore dhe apatikndjellëse në thelbin e saj, tragjedinë e shndërron në mundësi për shkëputje dhe rifreskim të agjendës politike. Meqë tragjedia ishte një katarsis kolektiv, politika pas disa ditësh merr veten të vazhdojë aty ku kishte mbetur, paçka se para disa ditëve ishte kërkuar me ngulm të madh në përgjegjësinë institucionale, nga qytetarë, aktivistë dhe opozitarë partiakë. Ja, sot tek po e shkruaj këtë kolumnë, gjërat janë ftohur dhe ndërgjegjet tona të topitura kanë humbur funksionin shpirtëror dhe politik të përkujtimit të identitetit të veçantë njerëzor, gatishmërinë e tij për të qenë i përgjegjshëm për veprimet e tij të drejta e të gabuara, dhe për to të pranojë konsekuencën e gjykimit shoqëror dhe penal.

A na bën hipokritë topitja e ndërgjegjeve tona? Është temë më e gjatë se cila i prinë cilës, por apatia për relativitetin e jetës njerëzore është ndërmarrja më serioze në përgatitjen e arkivolit të ndërgjegjes sonë. Jeta është më e lartë se mendimi. Nuk ka diçka më të lartë sesa jeta. Kultivimi i ndërgjegjes njerëzore për rëndësinë dhe paprekshmërinë e jetës është niveli më i lartë i kundrimit social dhe politik. Të qenit hipokrit do të thotë të luash rolin e persona-s, apo maskës teatrale që ke veshur. Është e vështirë të konstatohet hipokrizia kur maska të është bërë fytyra e vërtetë identitare dhe nuk arrin të shkoqisësh se çfarë është fytyrë e çfarë është maskë. Por mungesa e ndërgjegjes është paaftësia dhe guximi për të empatizuar me tjetrin. Mungesa e shpalljes së kumtit për universalitetin njerëzor dhe domosdoshmërinë e jetës është paaftësia dhe ecejaku i një ndërgjegjeje fundi i të cilës është apokaliptik, kurse paralajmëruesit e këtij apokalipsi janë derdhjet skizofrenike në muret e rrjeteve sociale, si praktikë e shpëtimit dhe distancimit të rrejshëm nga hipokrizia kolektive. Unë shkrova, unë shpëtova! Jo, ndërgjegjja është diçka më e thellë dhe e mbishtresuar.

Tragjedia është mundësia e vetme për purifikimin njerëzor. Ajo është mundësi e një reflektimi më të thellë rreth ecejakut dhe trajektores njerëzore. Por në sensin tonë kolektiv tragjedia, përfshi djegien e spitalit modular në Tetovë e aksidentin e autobusit në Bullgari, mbetet veç një ngjarje episodike e një vazhdimësie të një realiteti të brishtë politik. Prandaj, tragjedia duhet të jetë një shkëputje e vërtetë dhe metafizike për përgjegjësinë njerëzore dhe reflektuar mbi vazhdimësinë e saj, deri sa të bindemi se nuk ka kompromis me paprekshmërinë e jetës dhe të drejtës për jetë. /koha.mk

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *