Tragjedia në Athinë, shpallen të zhdukura dy shtetase shqiptare

Bilanci i viktimave të zjarreve në Greqi deri më tani ka shkuar në 79.

Top Channel raporton se ditën e sotme janë shpallur të zhdukura dy shtetase shqiptare, punonjëse të një taverne.

Në mesin e viktimave janë edhe dy shtetase polake dhe 3 danezë, të cilët janë gjetur të mbytur në përpjekje për të shpëtuar nga flakët. Duke qenë se trupat e tyre nuk kanë qenë të dëmtuar, identifikimi nga të afërmit është bërë shpejt.

Mbrëmjen e së martës u konfirmua viktima e parë shqiptare e tragjedisë.

Ajo u identifikua si shtetësja Nika Leka, me origjinë nga Leshnica e Sarandës, dhe ishte e martuar me një shtetas grek.

Nika vdiq në banesën e saj në vendin e quajtur Mati, ndërsa bashkëshorti grek ndodhet momentalisht në spital në gjendje kritike për jetën.

Identifikimi i 79 viktimave raportohet se do të nisë sot, ndërkohë që, bilanci i të lënduarve pritet të rëndohet.