Tragjedia e Gazës

Enver Robelli

Mijëra të vrarë, mes tyre shumë fëmijë, mbi 1 milion të zhvendosur nga vatrat e tyre dhe një protestë e juristëve britanikë.

Mbi 250 avokatë dhe profesorë të drejtësisë në Britaninë e Madhe i kanë kërkuar qeverisë së kryeministrit Rishi Sunak të angazhohet për një armëpushim në Rripin e Gazës. Juristët janë të bindur se në Gaza është duke u shkelur rëndë e drejta ndërkombëtare. Krahas armëpushimit, theksojnë juristët, qeveria britanike do duhej të këmbëngulte që popullsia e Gazës të furnizohet me ushqime, ujë, ilaçe dhe derivate të naftës.
Një zëdhënëse e Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut deklaroi në Gjenevë se t’ua ndalosh furnizimin me rrymë dhe lëndë djegëse dy milionë njerëzve, është ndëshkim kolektiv. “Ndëshkimet kolektive janë krime të luftës”, tha zëdhënësja duke iu referuar Izraelit. Juristët britanikë nënvizuan se krimet e Hamasit janë shkelje e rëndë e të drejtës humanitare, por, sipas tyre, kjo nuk i arsyeton krimet e kryera nga pala tjetër (lexo: Izraeli). Avokatët dhe profesorët e drejtësisë janë të bindur se niveli i humbjes së jetëve dhe plagosjet në Gaza tregojnë qartë se bëhet fjalë për shkelje të së drejtës humanitare ndërkombëtare.

Ndërkohë janë shpërfaqur mospajtime dhe po zhvillohen debate mbi vërtetësinë e shifrave të autoriteteve në Gaza mbi viktimat. Ministria e Shëndetësisë në Gaza kontrollohet nga Hamasi. Kjo organizatë terroriste ka interes që në “betejën për pamje” numri i viktimave palestineze të jetë sa më i madh. Presidenti Joe Biden, i cili po përpiqet të mbajë një kurs të balancuar mes palëve, tha se nuk i besonte të dhënave nga Gaza mbi numrin e viktimave. Dje ministria e kontrolluar nga Hamasi njoftoi se që nga fillimi i sulmeve izraelite janë vrarë 7028 palestinezë, përfshirë 2913 fëmijë. Më parë militantët e Hamasit vranë 1400 izraelitë dhe kidnapuan mbi 200. Në përpjekje për të rrëzuar çdo dyshim mbi numrin e të vdekureve, autoritetet palestineze në Gaza publikuan një listë prej 212 faqesh me emrat dhe numrin identifikues të të vrarëve. Këshilli i Marrëshënieve Amerikano-Islamike i bëri thirrje presidentit Joe Biden të kërkojë falje për deklaratën e tij. Gazetarë me përvojë thonë se shifrat e Hamasit duhet marrë me rezervë, por aktivistë të të drejtave të njeriut dhe organizata joqeveritare theksojnë se nga përvoja e së kaluarës shifrat e publikuara nga zyrtat e Hamasit kanë qenë kryesisht të sakta.

Gjatë një sulmi izraelit në Rripin e Gazës të martën u vra tërë familja e një korrespondenti të televizionit Al-Jazeera: gruaja, djali, vajza dhe një nip. Familja ishte strehuar në një shtëpi në kampin e refugjatëve Nuseirat në qendër të Rripit të Gazës, pasi ushtria izraelite u kishte bërë thirrje banorëve të Gazës më 13 tetor që të tërhiqen nga pjesa veriore në pjesën jugore. Një numër i konsiderueshëm i banorëve të kësaj pjese janë tërhequr, por sulmet e Izraelit kanë vazhduar edhe në jug të Gazës duke marrë jetë të pafajshme. Prej afër 2,3 milionë banorëve të Gazës, 1,4 milionë kanë braktisur shtëpitë e tyre. Shumë njerëz në Gaza po e humbin shpresën se do të marrin mjaft ndihma për të shpëtuar nga më e keqja.

Dhe më e keqja ka gjasa të ndodhë së shpejti, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk arrijnë ta ndalin Izraelin për të filluar ofensivën tokësore përmes së cilës qeveria e Benjamin Netanjahut synon “të zhdukë Hamasin”. Analistët amerikanë janë skeptikë se gjendja në Gaza do të qetësohet pa pasur një plan të qartë se çfarë do të ndodhë pas ndërhyrjes ushtarake izraelite. Secila analizë për këtë konflikt nuk mund ta përjashtojë thelbin e problemit: pushtimin e territoreve palestineze nga Izraeli, diskriminimin e shumëfishtë dhe shumëvjeçar të palestinezëve, kolonizimin e tokave të tyre dhe gufatjen e perspektivës për popullsinë palestineze, e sidomos për të rinjtë.

Ndërkohë presidenti amerikan Joe Biden po ballafaqohet me kritika nga një pjesë e mbështetësve të tij liberalë, të cilët nuk pajtohen me përkrahjen e pakusht të Izraelit dhe ia zënë për të madhe presidentit që nuk po angazhohet sa duhet për një armëpushim. Kritikët të cilët i citon “Washington Post” po ashtu nuk pajtohen që SHBA-të i kanë ndarë 14 miliardë dollarë për të mbështetur Izraelin. Këto para, thonë ata, do të mund të harxhoheshin për të mirën e qytetarëve amerikanë. Gazeta shpreh shqetësimin se një politikë e njëanshme proizraelite e qeverisë amerikane, mund tî kushtojë vota Joe Bidenit në qarqet liberale.

Nga: Enver Robelli /koha.net