Topalli reagon ndaj Bashës: Po fyen Shkodrën njëlloj si Rama

Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli ka reaguar ashpër pas daljes në dritë të së shkuarës kriminale të kandidatit socialist në Shkodër, Valdrin Pjetri. Pas denoncimeve publike të Partisë Demokratike dhe deklaratave të Lulzim Bashës, Topalli akuzoi edhe vetë kreun e opozitës.

Në një reagim të gjatë në Facebook, ish-nënkryetarja e PD-së kujton se Lulzim Basha është i vonuar në denoncimin e Valdrin Pjetrit, ndërkohë që gjithë Shkodra fliste prej muajsh për të shkuarën kriminale të kandidatit socialist.

“Edi Rama e çoi Valdrinin në  Shkodër, por mandatin për kryetar Bashkie të Shkodrës ia dhe ti Lul, me bojkotin e zgjedhjeve. Po të kishte një kandidat të djathte, Valdrini as në ëndërr nuk shihte karrigen e Kryetarit të Bashkisë. Ti e fyeve Shkodrën njëlloj si Rama. Për më tepër je tepër i vonuar në luftën kundër krimit”, deklaron Topalli duke shtuar se nëse nuk do të ishte Basha në krye të Partisë Demokratike edhe vetë Edi Rama nuk do të ishte kryeministër.

Ish-nënkryetarja e PD shprehet kundër Bashës edhe për vendimin për djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore./ABC News