Chuck Schumer, udhëheqës i shumicës demokrate në Senatin e SHBA-ve, hebre me besim, përkrahës i hekurt i Izraelit (sipas vetëpërshkrimit), ka bërë thirrje pak a shumë të hapur për largimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu nga posti. Schumer tha se koalicioni i Netanjahut me esktremistë të djathtë nuk i përgjigjet nevojave të Izraelit pas 7 tetorit. “Bota ka ndryshuar radikalisht”, tha Schumer. Ai përmendi numrin e madh të viktimave në Gaza si pasojë e sulmeve izraelite. Netanjahu “e ka humbur rrugën”, tha Schumer.
Këso tone nuk janë dëgjuar deri më tani nga Amerika. Kjo tregon se sa i madh ndërkohë është padurimi me Netanjahun dhe koalicionin e tij. Revista gjermane “Der Spiegel” në një koment të guximshëm shkroi këtë javë se vetëmbrojtja legjitime e Izraelit është shndërruar në fushatë për shfarosje. Revista akuzoi Gjermaninë se është duke i mbyllur sytë përballë përmasës së luftës në Gaza. Lufta u provokua nga sulmi terrorist i Hamasit, këtu nuk ka dilemë. Por ndërkohë gjithnjë e më shumë shtete janë të mendimit se lufta e Izraelit nuk ka strategji dalëse. Kërkesës së Chuck Schumer për zgjedhje të reja në Izrael, partia Likud e Netanjahut iu përgjigj kështu: Izraeli nuk është republikë bananesh.
Këtë javë kryeministri i Malajzisë Anvar Ibrahim gjatë vizitës në Berlin e atakoi direkt, në konferencë për media, kancelarin gjerman. “Ku është humanizmi? Pse kjo arrogancë? Pse matet me kute të ndryshme sa i përket njërës dhe tjetrës etni? A kanë fe të ndryshme? A është shkaku aty? Pse? Këtu kemi një problem”.