Ballina Autorë Opinione Toleranca kthehet në krim kur zbatohet tek i keqi… (Tomas Man)

Toleranca kthehet në krim kur zbatohet tek i keqi… (Tomas Man)

Roald Hysa

Zallamahia e qëllimtë e shkaktuar nga shfaqjet e shëmtuara në hapjen olimpike mbi Senë në Paris 2024 tregoi edhe një herë me britma fitoreje, se Franca nuk është pishtari i lirisë. O liri sa krime kryhen në emrin tënd do të bërtiste përpara gijotinës së revolucionit francez Madam Roland. Reagimet ndërkombëtare erdhën nga të gjitha drejtimet për organizatorët e këtij eventi sportiv të shumëpritur nga komuniteti sportiv mbarëbotëror. Por me sa duket Franca shekullare vazhdon të jetë nën frymën e ofezave të vazhdueshme ndaj religjioneve, duke promovuar të ashtuquajturën tolerancë. Shenjtëritë njerëzore nuk mund të preken dhe të sulmohen e më pas të kërkosh tolerancë. Kjo na përket edhe neve si shqiptarë, të cilët shquhemi për tolerancën fetare, ku ndërkohë pjesa laike-shekullare jo pak herë ka treguar agresivitet dhe mosdurim ndaj pjesës fetare.
Shenjtëria e Darkës së Fundit shprehet më së miri në këtë ajet kuranor
«Isai, bir i Merjemes, tha: “O All-llah, Zoti ynë, zbritna nga qielli një tryezë, të na jetë festë (gëzim) për ne dhe për ata (që vijnë) pas nesh, të jetë argument prej Teje, dhe dhurona se Ti je furnizuesi më i mirë! »
(Maide: 114) Shfaqja dhunuese dhe shumë e ulët që u performua në hapje të lojërave olimpike e vuri në qendër të sulmeve të rrepta organizatorin e lojërave olimpike të Paris 2024. Shfaqja u mbizotërua nga mesazhe të thella antifetare të vëna në skenë nga komuniteti i artistëve gay, të cilët iu referuan Darkës së Fundit të Jezu Krishtit me dishepujt e tij, por e ngjyrosur me rite satanike, bakanalet e dionisiaket të antikitetit greko-romak dhe shfaqja tejet e ulët e prerjes së kokës të mbretëreshës Maria Antuaneta.
Me një cinizëm të pashoq një nga organizatorët do të shprehej sipas anglezes The Guardian, se: “Qartësisht nuk ka pasur kurrë një qëllim për të mos respektuar ndonjë grup fetar. Hapja e ceremonisë u përpoq të celebrojë tolerancën e komunitetit, tha Ane Deshamp zëdhënësja e Paris 2024 në një konferencë për shtyp. Ne besojmë se kjo ambicie u arrit. Nëse njerëzit janë ofenduar na vjen keq.” Po të njëjtave fjalë pra tolerancës ndaj komunitetit gay i kanë mëshuar organizatorët në platformën X, duke vënë në spikamë më shumë tolerancën ndaj tyre, se sa të ndjerit në faj për ofendimin e ndjenjave jo vetëm të të krishterëve, por edhe të shumë grupimeve në botë ndër to edhe muslimanët. Thomas Jolly drejtori artistik i kësaj shfaqje të shëmtuar i përket së majtës ekstreme në Francë dhe ai nuk e fsheh këtë. E nuk mund të harrojmë këtu pa përmendur edhe revistën Charli Hebdo që para pak vitesh në emër të lirisë dhe tolerancës tallej me figurën e profetit Muhamed. Kjo tashmë nuk është tolerancë, por thjesht shou antifetar i radhës dhe që vjen pas fitores në zgjedhjet e para pak ditëve i një grupimi të majtë në Francë.

Nga Roald A. HYSA

Ekskluziv për http://Mesazhi.com

Exit mobile version