“Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota. E kush nuk i beson të pavërtetat, e i beson Allahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila nuk ka këputje. Allahu është dëgjues i dijshëm” (EI-Bekare, 256)
Tema për të cilën dua të flas sot, lidhet me tolerancën dhe humanizmin e myslimanëve gjatë historisë, si dy tipare specifike të shfaqjes së mesazhit hyjnor në realitetet e botës njerëzore.
Ndoshta, domosdoshmëria e angazhimit me tema të kësaj natyre, po bëhet përherë e më e kërkuar për ne, teksa dëgjojmë e lexojmë ditë pas dite, për keq prezantimin e fesë tonë, për keqinterpretimin e fjalës së Zotit, për një sjellje jo të shëndoshë të botës me Islamin dhe parimet e tij.
Megjithatë, detyra e jonë si myslimanë të vetëdijshëm për madhështinë dhe vlerat e fesë tonë, është që nëpërmjet studimit dhe hulumtimit, të përkthej më së miri në realitetet e jetuara këto mesazhe, si thirrës të sinqertë drejt vlerave të Islamit, tamam siç ftohemi në Kuran: “Fto për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira.”(1)
Këtë temë dua ta nis me ajetin e 256-të, të sures “El-Bekare”, ku Zoti i gjithësisë urdhëron e thotë: “Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota. E kush nuk i beson të pavërtetat, e i beson Allahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila nuk ka këputje. Allahu është dëgjues i dijshëm'(2)
Sipas komentit të Imam Raziut, ky ajet kuranor ka si kuptim të vetin edhe faktin se: “Zoti i Madhëruar nuk e ka ndërtuar çështjen e besimit mbi kërcënimin dhe dhunimin e tjetrit.”(3) Në komentin e tij të këtij ajeti, Imam Raziu thekson gjithashtu se: “Dhunë është, nëse myslimani i thotë jomyslimanit: “Ose beso, ose të vrava”, ndërsa Allahu thotë: “Nuk ka dhunë në fe!”(4)
Në këtë kontekst, Imam Kurtubiu sjell të transmetuar një bashkëbisedim të hz. Omerit r.a me një plakë të krishterë, të cilës, teksa e ftonte në Islam, i drejtohej me këto fjalë: “Pranoje Islamin oj plakë, se do të shpëtosh. Allahu e ka dërguar Muhamedin me të vërtetën”. Plaka ia kthente: “Unë jam plakë e moshuar dhe vdekja më është afruar!” Ndërkohë, Omeri r.a thoshte: “O Zot, dëshmo”, dhe lexonte ajetin: “Nuk ka dhunë në fe!”(5) Pra, pas këtij bashkëbisedimi të thjeshtë e të qartë, hz. Omeri pranonte vendimin dhe përzgjedhjen e plakës së krishterë dhe largohej duke lexuar ajetin e lirisë së përzgjedhjes.
Rreth këtij ajeti, shumë qartë flet edhe mufesiri i shquar Ibni Ashuri, i cili thekson se qëllimi i ajetit në fjalë është të rrënjoset urdhëresa hyjnore: “Mos kërcënoni njeri në pasimin e Islamit. (Ky ajet) është argument i qartë i revokimit (anulimit) të krejt formave të dhunës në fe”*(6), të cilat mund të kenë ekzistuar para Islamit.
Ndoshta, ajeti kuranor, që qëndron si kryefjalë e lirisë së përzgjedhjes dhe respektimit të diversitetit fetar në Islam, është pa dyshim ajeti i 99-të, i sures Junus, ku Zoti i gjithësisë i drejtohet të Dërguarit të Tij: “Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t’i besonin çka janë në tokë, që të gjithë. A ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?”(7)
“Mbi këtë parim myslimanët ndërtuan marrëdhënien e tyre me pasuesit e feve të tjera, Ata (myslimanët), toleronin banorët e vendeve që çlironin, të qëndronin në fenë e tyre duke paguar taksën e xhizjes, kundrejt së cilës i mbronin nga çdo agresion, duke mos u prekur besimet, simbolet dhe vend-adhurimet e tyre. Shembulli më i mirë për këtë është “Pakti i Besës”, që hz. Ebu Bekri r.a., kalifi i Resulullahut a.s i shkroi të krishterëve të Nexhranit.”(8)
Në suren “El-Bekare”, Zoti i gjithësisë e udhëzon të dërguarin e Tij, duke i thënë: “Nuk është obligim yti (Muhamed) udhëzimi i tyre (në rrugë të drejtë), Allahu e shpie në rrugë të drejtë atë që do.”(9) Këtë ajet kuranor, dijetarët e komentojnë duke thënë: “Nuk është obligim për ty, o i dërguar, t’i bësh mushrikët të udhëzuar, nëpërmjet mënyrave të ngushtimit, ndalimit a kërcënimit, sepse Allahu është Ai, që udhëzon në Islam, kë të dojë, me mbarësinë e Tij.
Thirrësi ka për obligim të bëjë thirrjen e tij, ndërsa udhëzimi është vetëm në dorën e Allahut.”(10)
Islami dhe jomyslimanët
Argumentin e ruajtjes së shpirtrave dhe jetëve të jobesimtarëve në Islam e vërteton krejt mirë edhe fakti se: “I Dërguari a.s., dëshiroi të rikthehej në Mekë, pa u prekur asnjë jetë, e pa u derdhur asnjë pikë gjaku”(11) dhe kështu ndodhi. Historia vërteton se hz. Muhamedi a.s. urdhëroi komandantët e tij, që kur të hynin në Mekë: “Të mos vrisnin njeri!”(12)
Historia vërteton se ditën e betejës së Hunejnit, në vitin e tetë të hixhretit (emigrimit të madh), “I Dërguari i Allahut a.s. kishte urdhëruar shokët e tij të mos vrisnin asnjë fëmijë, grua, shërbëtor, a skllav. Ai ndjeu keqardhje për një grua që ishte vrarë në Hunejn.”(13) Si jo, kur ai ishte i Dërguari i Zotit, që tha: “Mëshiruesit i mëshiron Mëshiruesi. Mëshironi ata që janë në tokë, ju mëshiron Ai që është në qiell!”(14)
Është për t’u përmendur fakti se gjatë 23 vjetëve të thirrjes, me të cilën u dërgua hz. Muhamedi a.s., në të gjitha betejat për vetëmbrojtje, që u zhvilluan në këtë periudhë, “nuk u vranë me shumë se 440 burra arabë (myslimanë dhe mushrikë).”(15) Një shifër thuajse të dyfishuar, të detajuar me shifra konkrete për çdo betejë, e paraqet dijetari i famshëm bashkëkohor, Ebul Hasen en Nedevi (1914-1999), në librin e tij “Es-Siretun Nebevije”. Ai përmend gjithashtu me dhjetëra raste, kur Resulullahu a.s. ka falur të zënët rob në betejat e ndryshme, veprim që ka nxitur edhe pranimin e tyre të Islamit, kohë më vonë.
Në shkrimet e ndryshme, që përshkruajnë marrëdhënien e hz. Muhamedit a.s., me jomyslimanët, theksohet se: “ai nuk dëshironte vrasjen e tyre, as nuk ishte i etur për të parë gjak e shkatërrim, por e duronte lëndimin nga ta, në rrugën e udhëzimit të njerëzve. Edhe po të mos besonte brezi bashkëkohor, ai shpresonte se nga brezat e ardhshëm, sado të largët do të kishte besimtar në Allahun dhe Njësinë e Tij.”(16)
Dhe argument më i qartë për këtë është udhëtimi i tij a.s. drejt Taifit, thirrja e banorëve të këtij qyteti, përballja me fyerjet, sharjet, goditjen më gurë dhe lëndimin fizik, deri te bashkëbisedimi me melaqet e nderuara, të cilët kishin ardhur për t’i komunikuar se Zoti i gjithësisë i kishte vënë në shërbim të tij, po të donte, ai popull do të shkatërrohej në moment. Ndërkohë, Resulullahu a.s., sikurse transmetohet në librin e Imam Buhariut, ua ktheu: “Jo, unë lutem dhe shpresoj që nga pasardhësit e tyre të ketë njësues të Zotit.”
Imam Muslimi transmeton se, dikush i tha hz. Muhamedit a.s: “Lutu kundër mushrikëve!” Ai a.s., ia ktheu: “Unë nuk jam dërguar mallkues, por jam dërguar mëshirë.”(17)
Dhe, mbi këtë bazë komunikimi me jomyslimanët, ushtritë islame përhapën kudo dritën e tolerancës dhe mirësinë e humanizmit, në rrugën e krijimit të një atmosfere sigurie për këdo, në një shoqëri, ku liria dhe drejtësia ishin themel.
Shumë prej jush keni dëgjuar a lexuar për “Kartën e Medinës”, marrëveshjen e Resulullahut a.s. me fiset jomyslimane, për të jetuar në harmoni e paqe me njëri tjetrin. “Karta e Medinës” dhe pakti i nënshkruar me të krishterët e Nexhranit dhe rrethinat e tij, si marrëveshja e Omerit më vonë, u garantonin qytetarëve nga ithtarët e librit një status të privilegjuar në shtetin islam. Profeti Muhamed a.s ua garantoi të drejtat e tyre duke i konsideruar se janë në besën e Zotit dhe të Muhamedit a.s., të Dërguarit të Zotit.”(18)
Aty theksohet dukshëm se: “myslimanët dhe hebrenjtë në Medine, në shtetin e profetit Muhamed a.s., konsiderohen si një komb i vetëm: “Hebrenjtë e Benu Auf janë qytetarë të një kombi bashkë me myslimanët. Hebrenjtë kanë fenë e tyre, kurse myslimanët fenë e tyre.” Në këtë kartë, ceket qartë theksimi që Islami i bën pranimit të diversitetit fetar.”(19)
Në gjurmët e të Dërguarit a.s. ecën edhe sahabët e tij dhe pasuesit e tyre deri në ditët tona. Kështu do të jetë deri në ditën e fundit, sepse myslimani nuk mund ta ndryshojë fenë e tij as mesazhet themelore të saj për asnjë padrejtësi të dikujt në hak të tij, as për dashakeqësinë dhe arrogancën e dikujt tjetër, pasi ai beson me optimizëm dhe lutet për udhëzimin e racës së tij, pa dallim. Në lidhje me këtë, Kurani urdhëron: “Dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’ i shmangeni drejtësisë, bëhuni të drejtë, sepse ajo është më afër devotshmërisë. Kijeni frikë Allahun se Allahu di hollësisht për atë që veproni.”(20) Urrejtja e përmendur këtu, lidhet me veprimet e ulëta dhe cytjet e atyre që e kanë merituar këtë urrejtje në jetën e njeriut.
Shembuj për t’u marrë në konsideratë
Imam Ebu Jusufi (v.182 h.), në librin e tij të famshëm, “Kitabul kharaxh”, teksa këshillon prijësin e besimtarëve, kalifin abasit Harun Reshidin, për të ruajtur drejtësinë dhe humanizmin me jomyslimanët e krishterë, i shkruan: “Dhe duhet, o prijës i besimtarëve, Allahu t’u bëftë ndihmë, të jesh pararojë në butësinë ndaj familjarëve të besës së Profetit dhe djalit të axhës tënd, Muhamedit a.s. Dhe në ruajtjen e tyre, që të mos u bëhet padrejtësi, as të lëndohen dhe të mos ngarkohen mbi mundësinë e tyre. As t’u merret nga pasuria e tyre, përveçse me drejtësi, aq sa kanë detyrim. Sepse, është transmetuar nga Resulullahu a.s. se ka thënë: “Ai që i bën padrejtësi një njeriu në besë, apo e ngarkon mbi mundësinë e tij, do t’i kërkoj llogari.”(2l,22)
Po ashtu, ai i tregon kalifit abasit, se si hz. Omeri r.a., para se të jepte frymën e fundit, la amanet, si vijon: “I lë amanet kalifit pas meje, besën e Resulullahut (pasuesit e librave të shenjtë), t’u japë hakun e besës, t’u mbrojë jetën dhe të mos ngarkohen mbi mundësinë e tyre.”(23)
Si jo, ndërkohë, kur ishte në kulmin e drejtimit të tij të umetit islam, hz. Omeri r.a. vazhdoi të ruante paktin e bërë nga Resulullahu a.s. dhe Ebu Bekri r.a., pas tij, me të krishterët e Nexhranit në jug të gadishullit. Ndër kushtet e vendosura nga i Dërguari i Allahut ndaj tyre ishte edhe mospërdorimi nga ana e tyre e kamatës. Në kohën e hz. Omerit, ata e prishën marrëveshjen në këtë pikë, e konsuamuan kamatën. Ndërkohë, kur ishin rritur në numër, 40 mijë frymë dhe nisën të kishin mosmarrëveshje dhe inate në mes vete, kërkuan nga Omeri që t’i shpërngulte nga Gadishulli Arab, drejt një vendi tjetër. Omeri e pranoi kërkesën e tyre dhe u dha dëmshpërblim të dyfishtë për pasuritë e lëna dhe u gjeti një vend në Irak (që u quajt Nexhranije), duke u hequr për dy vjet edhe pagesën e taksës së xhizjes, sikurse ndaloi çdo lloj padrejtësie ndaj tyre.”(24)
Shumë interesante janë edhe lajmet e hz. Omerit r.a në raport me të krishterët e Iljas, në Bejti Makdis (Palestinë). Në paktin e tij me ta, ndër të tjera shkruhet: “U dha besën për veten e tyre, në pasuritë e tyre, për kishat dhe kryqet e tyre, për të sëmurët dhe të shëndoshët e tyre, për mbarë komunitetin e tyre. Nuk do t’u banohen kishat, as do t’u shkatërrohen. Nuk do të dhunohen për fenë e tyre, as do të dëmtohet njeri prej tyre për shkak të fesë, as do të banojë me ta në llja, asnjë jahudi.”25
Osmanët
Shekuj më vonë, në periudhën osmane, teksa flet për Sulltan Muratin I (1326-1389), Gibboni thekson se: “Edhe nëse në sytë e etërve të kishës bizantine, sulltan Murati I është parë si armik i Jezu Krishtit, ai i pati trajtuar ata më mirë se papati. Ai qe njeri i mençur e i matur që e kishte frikë Zotin. Ai ishte i butë ndaj të mundurit.”(26)
Gjithashtu vlen të përmendet se Sulltani u dha liri të krishterëve për të mbajtur simbolet e tyre fetare dhe të drejtën e zgjedhjes së udhëheqësve të tyre fetar, të cilët kishin të drejtë të gjykonin në çështjet qytetare. Shfaqja e faljes dhe tolerancës nga ana e sulltanit Mehmet Fatihut ndaj të krishterëve të Kostandinopojës, nuk ishte tjetër veçse shtytje nga zbatimi i sinqertë i Islamit madhështor.”(27)
Historianët e perandorisë osmane vërtetojnë se me ardhjen e Sulltan Fatihut në Stamboll, u paraqit shembulli i tolerancës islame. Ai menjëherë e ripërtëriu patrikanën bizantine, i ktheu lirinë dhe pavarësinë kishës lindore. Fermani i Sulltan Fatihut mbi të drejtat e njeriut shkruar më 28 maj 1463, në Millodrazh, i cili llogaritet si njëri ndër dokumentet më të vjetra mbi të drejtat e njeriut, thotë: “Unë Fatih Sulltan Hani shpall para të gjithë botës se françeskanët e Bosnjës, për të cilët del ky ferman, janë nën mbrojtjen time dhe urdhëroj që as njerëzit, emrat e të cilëve shpallen këtu dhe as kishat e tyre të mos shqetësohen e të mos dëmtohen. Le të jetojnë në paqe e të qetë brenda Perandorisë sime.”(28)
Prandaj, me të drejtë, edhe jomyslimanët objektivë në kërkimet dhe studimet e tyre mbi Islamin, kanë vërtetuar në vazhdimësi këto vërtetësi. Në revistën “Zani i Naltë”, 1924, shënohet edhe ky rast: Në një mbledhje qi u ba në Londrë nën kryesin e Lord Venterten dijetari i famshëm ingjliz Ser Tomas Emoldi mbajti një fjalë mbi muslimanët. Këtu fjalimin e Ser Emoldit po i u a paraqesim me shkurtim: “Ju shënoj se Islamizma s’asht një fee vetëm, si një dogmë krejt teologjike, por asht nji fee krejt shoqnore me regullat të plota sociale. Me ket spirit sociale qi ka, islamizma asht një faktor i madh i qytetnimit…”(29)
_____________
(1) En-Nahl, 125.
(2) El-Bekare, 256. (ajeti i plotë):
(3) Imam Fekhrudin Er Razi, “Et-Tefsirul-Kebir”, vëll. VII, f.13, botimi i 1-rë, Bejrut, 1990.
(4) Imam Fekhruddin Er Razi, vep. e cit., f. 14.
(5) Imam Kurtubiu, “El-Xhamiu li-Ahkamik-Kur’an”, vëll. Ill, botimi i 2- të, Kajro, 1996, f. 278.
(6) Shejkh Muhammed et Tahir ibën Ashur, “Et-Tahrir vet-Tenvir”, botimi i 1-rë, Bejrut, 2000, f. 499.
(7) Junus, 99.
(8) Afif AbduIfettah Tabara, “Rruhud-din el-Islami”, botimi i 30-të, Bejrut, gusht 1995, f. 4’70.
(9) El-Bekare, 272.
(10) Prof. dr. Vehbe Zuhajli etj, “El-meusuatul-Kuranijjetul-mujessere”, botimi i dytë, Damask, 2002, f. 47.
(11) Dr. Sheuki Ebu Khalil, “El-Islam fi kafasil-Ittiham”, botimi-i 3-të, Damask, 1996, f. 96.
(12) Dr. Sheuki Ebu Khalil, vep, e cit., f. 97.
(13) Ebul Hasen en Nedevi, “Es Sirretun Nebevijje”, botimi i 12- të, (botimi i 3-të i shtëpisë botuese “Thën Kethir”), Damask, 2004, f. 472.
(14) Transmetuar nga Ebu Davudi dhe Tirmidhiu (hasen, sahih), nga nëna jonë Aisheja r.a.
(15) Dr. Sheuki Ebu Khalil, vep. e cit., f. 98.
(16) Prof. dr. Khalil Ibrahim el Azzami, “Er-rahmetul-Muhdatu sal-Iall-llahu alejhi ve sel-lem”, botimi i l-rë, Xhidde, 2007, f. 468-469.
(17) Prof. dr. Khalil Ibrahim el Azzami, vep. e cit., f. 470.
(18) Nga abstrakti i shkrimit: “Vlerat e bashkëjetesës dhe parimet e saj në Kartën e Medinës”, nga Dr. Muhamed Sherkavi, prej dijetarëve të Universitetit “El Ez’her”, Kajro, Egjipt. Përkthyer në shqip nga Elmaz Fida, në revistën “Zani i Naltë”, viti III (XVII), 2014, nr. 9 (162), f. 101.
(19) Dr. Muhamed Sherkavi, “Vlerat e bashkëjetesës dhe parimet e saj në Kartën e Medinës”, përkthyer në shqip nga Elmaz Fida, në revistën “Zani i Naltë”, viti III (XVII), 2014, nr. 9 (162), f. 102.
(20) El-Maide, 8.
(21) D.m.th, në ditën e gjykimit, sikurse transmetohet në rrugë të qera plotësuese të këtij hadithi. (Shënim imi, M.S.)
(22) El Kadi Ebu Jusuf [akub ibën Ibrahim, “Kitabul Kharaxh”, botimi i ri, Kajro, 1999, f. 138.
(23) El Kadi Ebu Jusuf, vep. e cit., f. 138.
(24) Ali Tantavi dhe Naxhi Tantavi,” Akhbaru Omer”, botimi i 11-të, Xhide, 1999, f. 166, me përshtatje të lehtë.
(25) Afif Abdulfettah Tabara, vep. e dt, f. 471.
(26) Osman Nuri Topbash, “Osmanët”, Shkodër, 2009, f. 49.
(27) Dr. Ali Muhamed Salabi, “Perandoria Osmane faktorët e ngritjes dhe rënies së saj”, Prishtinë, 2009, f. 129-130.
(28) Dok. Genti Kruja, “Toleranca në Fermanët e Shtetit Osman ndër Shqiptarët”, në revistën “Zani i Naltë”, viti III (XVII), 2014, nr. 9 (162), f. 57.
(29) Rubrika “Bota Myslimane”, “Fjala e një dijetari Ingjliz”, në revistën” Z ani i Naltë”, Tiranë, nr. 10, korrik 1924, viti I, f. 300-301.
Muhamed B. Sytari