Toleranca dhe amnistia: Mësime nga historia islame dhe realiteti sirian

Në një botë që është e mbushur plot e përplot me konflikte dhe përplasje, është me rëndësi të hedhim një vështrim rreth mësimeve të historisë për të kuptuar se si përmes tolerancës dhe amnistisë të projektojmë një rrugë drejt paqes dhe pajtimit. Duke hedhur një vështrim të detajuar rreth çlirimit të Mekës dhe asaj që ndodhi në burgun Sajdanaja në Siri, do të vërejmë efektin pozitiv të tolerancës dhe amnistisë, sidomos në rrethana kritike.

Padrejtësia përgjatë historisë dhe realiteti sirian

Në fillim të thirrjes islame, muslimanët e parë u përballën me sfida të shumta nga ana e jobesimtarëve Kurejshit, të cilët përdorën dhunën dhe torturën si një mjet për të shtypur zërat e besimtarëve. Këto praktika janë të ngjashme me atë që ka ndodhur në Siri në ditët e sotme, veçanërisht në burgun e Sajdanasë, ku kundërshtarët politikë janë torturuar dhe trajtuar egërsisht. Këto përvoja negative pasqyrojnë një realitet të hidhur: nëse padrejtësia nuk trajtohet, ajo  mund të instalohet në shoqëri.

Amnistia gjatë çlirimit të Mekës dhe Sirisë si forcë ndryshimi

Kur Profeti Muhamed (a.s) çliroi Mekën vendosi që t’i falte banorët e saj, duke lënë pas gjithë ato vite të dhunës dhe armiqësisë. Kjo amnisti profetike nuk ishte thjesht një akt simbolik, përkundrazi ajo ishte një hap strategjik për të ndërtuar një shoqëri të re ku paqja dhe drejtësia do të ishin në rend të ditës.

Në një kontekst të ngjashëm, mund të shikohet edhe çlirimi i Damaskut, i cili po përballet me konflikte dhe sfida nga më të ndryshmet. Mësimet e nxjerra nga këto ngjarje, theksojnë se amnistia dhe toleranca luajnë një rol vendimtar në qetësimin e situatave dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.

Roli i amnistisë dhe tolerancës në ndërtimin e paqes

Toleranca dhe amnistia nuk janë thjesht vetëm dy vlera etike, por ato kanë edhe një impakt tepër pozitiv për t’i dhënë fund konflikteve dhe për të siguruar paqen e stabilitetin. Në kontekstin e Sirisë, ku dhimbja dhe vuajtja janë prezente kudo, amnistia mund të luajë një rol jetik në mbylljen e plagëve dhe harrimin e traumave që përjetuan individët dhe shoqëria përgjatë gjithë atyre viteve. Liderët dhe individët  e shoqërisë duhet të bazohen në mësimet e historisë për të marrë vendimet e tyre dhe për të ndërtuar një të ardhme që bazohet mbi respektin e ndërsjellë dhe drejtësinë.

Shembull nga epoka moderne – Ruanda: Toleranca pas gjenocidit

Ruanda, e cila ka përjetuar një prej gjenocideve më të rënda të historisë në epokën moderne gjatë vitit 1994, ka treguar se si toleranca ka luajtur një rol kyç në procesin e stabilitetit kombëtar. Pas luftës së përgjakshme, në të cilën humbën jetën rreth 800 mijë njerëz në një periudhë të shkurtër, Ruanda u përball me sfida të mëdha për rindërtimin e një shoqërie të shkatërruar. Politikat e amnistisë dhe pajtimit, të mbështetura nga gjykatat tradicionale “Gaçaça” ndihmuan në procesin e pajtimit dhe arritjen e drejtësisë, duke kontribuar kështu në rindërtimin e strukturës sociale të vendit.

Përfundim:

Mësimet e nxjerra nga historia islame dhe realiteti i Sirisë,  na tregojnë se amnistia dhe toleranca nuk janë vetëm virtyte të mëdha, por ato janë themeli i ndërtimit të shoqërive të stabilizuara dhe përparimtare. Sfidat me të cilat përballemi sot, kërkojnë prej nesh që të jemi më tolerantë dhe të falim. Nuk ka dyshim se amnistia dhe toleranca  ndihmojnë në krijimin e një bote më të mirë për brezat që vijnë.

Burimi: Aljazeera.net

Përktheu: Elton Harxhi