Ballina Lajmet Tiranë, sërish protestë për Teatrin Kombëtar

Tiranë, sërish protestë për Teatrin Kombëtar

Është zhvilluar në Tiranë përsëri një protestë kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta është organizuar nga artistë, aktivistë të shoqërisë civile, ku kanë marrë pjesë edhe qytetarë, të cilët fillimisht u mbledhën para godinës ekzistuese të Tetarit Kombëtar në Tiranë.

Më pas, protestuesit marshuan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë dhe Presidencës së Shqipërisë.

Protestuesit me sloganet “Unë jam teatri”, “Teatri është pasuri kombëtare” dhe “Jemi kundër shembjes së Teatrit Kombëtar”, bënë thirrje të mos zbatohet projekti për ndërtimin e godinës së re të teatrit.

Protestës së artistëve dhe shoqërisë civile iu bashkuan edhe përfaqësues të Partisë Demokratike të Shqipërisë, deputetët e së cilës kanë kundërshtuar ligjin e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Kujtojmë se disa ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës me objekt projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të teatrit kombëtar”.

Qëllimi i ligjit të ri është realizimi i projektit për zhvillimin e një zone urbane në qytetin e Tiranës dhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar me partner privat, por kjo nismë kundërshtohet nga një pjesë e artistëve dhe shoqëria civile.

Bashkia e Tiranës njoftoi kohë më parë se është arritur marrëveshja me artistët për teatrin, por një pjesë e artistëve vazhduan përsëri protestat.

Exit mobile version