Zyra e Këshilltarit të Çështjeve Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë organizoi sot një program në kuadër të aktiviteteve me rastin e ditëlindjes së Profetit Muhamed, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitetin e organizuar në Njësinë Administrative Paskuqan të Qarkut të Tiranës, ishin të pranishëm kryetari i Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB), Abdullah Eren, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, nxënës, studentë dhe besimtarë.
Programi filloi me leximin e Kur’anit, ndërsa të pranishmit i përshëndeti ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük.
“Jemi mbledhur për të përkujtuar ditëlindjen e profetit tonë Muhamed, për t’u lutur për të. Ju e dini që vëllazëria turko-shqiptare ka jetuar në shekuj dhe do të vazhdojë të jetojmë bashkë me njëri-tjetrin. Një shembull i mirë i kësaj miqësie ndërmjet dy popujve është dhe ky aktivitet që jemi mbledhur sot”, tha ambasadori turk.
Bekir Yanılmaz, këshilltari për Çështje Fetare pranë Ambasadës së Turqisë mbajti ligjëratën me temë “Profeti Muhamed si shembull dhe rinia”.
“Dëshira ime është që ne të mësojmë mirë jetën e pejgamberit, moralin e tij, por të mos mjaftohemi vetëm duke mësuar këtë, por edhe ta zbatojmë atë në jetën tonë”, tha gjatë ligjëratës së tij Yanılmaz.
Programi u mbyll me Ilahi nga nxënësit e kursit të Kur’anit të Xhamisë së Paskuqanit në Tiranë, në shqip, turqisht dhe arabisht.