Fjala greke kubernao, nga e cila ka prejardhjen qeveria dhe qeverisja, do të thotë “të drejtosh me timon”. Etimologjia e fjalës transmeton një imazh që do të jetë nga më të përdorurat për të ilustruar ata që mbajnë funksionin e qeverisjes: ajo e timonierit, pra e atij që ka përgjegjësinë e drejtimit të anijes në destinacionin e saj, duke e mbajtur në rrugën e duhur dhe t’iu bëjë ballë të papriturave që paraqiten.
Kjo dhe metafora të tjera – si ajo e babait të familjes, bariut dhe dhenve, e një udhëheqësi në fushën e betejës – të cilat e kanë origjinën në një fazë predemokratike të politikës (dhe që mbijeton sot kryesisht në ato regjime jodemokratike), nënvizon ndërthurjen midis ushtrimit të autoritetit dhe përgjegjësinë e mirëqenies të së nënshtruarve ndaj këtij autoriteti. Timoni ishte kryefjala e fushatës së liderit socialist Edi Rama, një kërkesë e qartë ndaj zgjedhësve për të kërkuar përgjegjësinë për të qeverisur dhe njëkohësisht për të mos marrë përgjegjësi për katërvjeçarin e shkuar, ku timonieri i madh mbante në krah timonierin e vogël.
Në 25 qershor shumica e pakicës që mori pjesë në zgjedhje vendosi t’i jepte timonin Ramës, duke plotësuar dëshirën e tij për të drejtuar i vetëm. Ndonëse ky rezultat përkonte me kërkesën e vetme mbi të cilën Rama zhvilloi fushatën, 74 mandatet socialiste krijuan një kontekst të ri politik.
Pushteti i madh kërkon përgjegjësi të mëdha, pasi të qeverisësh do të thotë, në thelb, të marrësh përgjegjësitë finale përballë komunitetit politik dhe problemeve të tij. Në këtë kontekst të ri, timonieri i madh nisi një fushatë të re, atë ndaj armiqve të popullit dhe të dëgjesave publike, në tentativë për të shkarkuar serish përgjegjësit tek të tjerët.
Populisti par excellence, edhe një herë, arrin të ndryshojë kornizën brenda së cilës ngjizet dhe zhvillohet debati politik. Krijon një betejë simboliko-emocionale kundër një armiku të ri, administratës publike, dhe kërkon të dijë nga populli si do që të qeveriset në katër vitet e ardhshme.
Aftësia e Ramës për të krijuar kornizën, frame, pra për të vendosur agjendën politike edhe nëpërmjet gjetjeve populiste është treguese për forcën e tij dhe njëkohësisht për problematikat që kjo forcë mbart.
Në politikë fiton ai që detyron kundërshtarin të luajë në fushën e tij, pra timoni, tepsia, atletet, pushimet e ministrave, ultimatum televiziv ndaj drejtorit të ALUIZNI-t, lista me armiq të popullit të shpallura në rrjete sociale tregojnë se Rama me timonin në dorë nuk di çfarë të bëjë dhe, për më tepër, devijon opinionin publik te gjetjet e tij mediatike dhe jo te problemet reale.
Si një prestidigjitator i mirë, kur kërkon vëmendjen e popullit te duart – lexo atletet – ndërkohë që numri po zhvillohet gjetkë, si për shembull Samiti i Triestes nga i cili u kthye duarbosh. Ndonëse qeveria që do të marrë detyrën në shtatorin e ardhshëm ka përpara saj sfida jetike për të ardhmen e vendit, dhe mbi të gjitha gëzon numrat për të drejtuar pa rënë pre e antipolitikës; rremat e para me të cilat timonieri po çan detin e turbullt të politikës tonë nuk janë në funksion të një destinacioni por të një teatri me një regji të mirëpërcaktuar.
Dëshira për të bindur, pra për të marrë pëlqimin edhe pasi je votuar më pak se një muaj më parë, ka një matricë antipolitike, e cila në fazën e ndërtimit të konsensusit, është më e kujdesshme ndaj krijimit të armiqve se sa propozimeve konstruktive.
Tragjikomedia e kësaj fushate pas fushatës është përpjekja për të qeverisur me popullin, duke hyrë në një fazë të pushtetit pa kontroll politik. Një marrëdhënie që në vëzhgim të parë vendos qytetarin në qendër të veprimtarisë politike, duke ngjallë reminishencat e demokracisë direkte, diçka e pamundur për këto vise. I pyetur, i përkëdhelur dhe i llastuar, qytetari i thjeshtë ndihet protagonist dhe krenohet për liderin dhe vëmendjen që ai ka ndaj tij.
Por, kur shuhen dritat dhe ulet perdja mbi spektakolarizimin sipërfaqësor të dëgjesave publike, gjen veten në pozicionin e veglës, objekt i qëllimit të vetëm që ka një lider me nuancat e Ramës, pushteti.Nga Gentian Gaba/Mesazhi/