Zëvendësministri i Shëndetësisë Kadir Hyseini, Ministri i Administratës Publike Mahir Jagcilar, Ambasadorja e Turqisë në Kosovë Kiviclim Kiliç dhe përfaqësues të i Agjensisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Prishtinë, kanë marrë pjesë në inaugurimin e fillimit të punëve për instalimin e Njësisë së Kujdesit Intensiv në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.
Zëvendësministri Hyseini tha se Republika e Turqisë është vendi mik i cili është duke përkrahur fuqishëm reformën e shëndetësisë në Kosovë, e cila përkrahje po luan rol të rëndësishëm në avancimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e vendit.
Ai tha se projekti i renovimit dhe furnizimit me pajisje në kuadër të instalimit të Njësisë së Kujdesit Intensiv në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, i financuar nga TIKA, do të krijojë kushte shumë më të mira për profesionistët shëndetësor të fushës përkatëse, me ç’rast do të rritet edhe cilësia e shërbimeve për pacientët në këtë qendër.
Fillimin e punëve e ka përshëndetur edhe Ministri i Administratës Publike Mahir Jagcilar, me ç’rast ka falënderuar Qeverinë e Republikës së Turqisë për përkrahjen e madhe ndaj Republikës së Kosovës në të gjithë sektorët e në këtë rast në fushën e shëndetësisë, me një projekt shumë të rëndësishëm për qytetarët e vendit.
Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj tha se përfundimi i projektit do të gjejë Njësinë e Kujdesit Intensiv të pajisur me aparaturën më moderne, gjë që do të lehtësojë dukshëm punën e stafit njëkohësisht do të krijohen mundësitë për shërbime më të mira për pacientët me nevojë .
Ambasadorja Kiliç, tha se Republika e Turqisë, përveç formave të tjera të përkrahjes në fushën e shëndetësisë në Republikën e Kosovës, bazuar edhe në Marrëveshjen e bashkëpunimit në shëndetësi midis dy shteteve, përmes TIKA-s ka ofruar financimin e plotë të Projektit për renovimin dhe furnizimin me pajisje në kuadër të instalimit të Njësisë së Kujdesit Intensiv në QKUK, projekt ky që do të dyfishojë kapacitetet e kësaj njësie.
“Projekti i renovimit dhe furnizimit me pajisje në kuadër të instalimit të Njësisë së Kujdesit Intensiv, nuk është i pari që TIKA po e realizon në Kosovë, dhe sigurisht se nuk do të jetë as i fundit, që në bazë të nevojave të paraqitura, ky agjension do ta zhvillojë për mbështetjen e shëndetësisë në Kosovë”, tha Ambasadorja Kiliç.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve në bazë të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar kohë më parë mes Ministrisë së Shëndetësisë e Republikës së Kosovës dhe Agjensisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) për Projektin e renovimit dhe furnizimit me pajisje në kuadër të instalimit të Njësisë së Kujdesit Intensiv, u tha se Njësia do të ketë 27 shtretër dhe pajisje të reja, të gjitha të financuara nga TIKA, dhe do të kushtojë rreth 2 milionë euro ku pritet të përmbyllet në një periudhë kohore prej pesë muajsh.