Ballina Lajmet TIKA shpërndan ndihma për familjet në nevojë në Shqipëri

TIKA shpërndan ndihma për familjet në nevojë në Shqipëri

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka shpërndarë në Shqipëri ndihma në pako ushqimore për mijëra familje në nevojë, me rastin e muajit të Ramazanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e shpërndarjes së ndihmave për fëmijët jetimë në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili në fjalën e tij tha se me ambasadën turke dhe TIKA-n “kemi qenë gjithmonë bashkë.”

“Kemi qenë bashkë kur ka pasur përmbytje, kur kemi ndërtuar kopshte, kemi qenë bashkë kur kemi mbjellë pemë. Kemi qenë bashkë kur kemi ndërtuar kënde lodrash dhe më vjen mirë që jemi përsëri bashkë në këtë aktivitet solidariteti me rastin e muajit të Ramazanit, për të gjithë familjet dhe fëmijët në nevojë në qytetin e Tiranës”, tha Veliaj.

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, tha gjatë aktivitetit se Turqia gjithmonë është pranë njerëzve në nevojë.

“Siç e dini muaji i Ramazanit është muaji i solidaritetit, vëllazërisë dhe për të qenë bashkë. Gjithashtu muaji i Ramazanit është muaji i ndihmës, solidaritetit dhe i zgjatjes së dorës për ata që janë në nevojë dhe muaji që i bën njerëzit më të mirë. Ne sot jemi këtu për t’i zgjatur dorën e ndihmës vëllezërve tanë shqiptarë në këtë muaj të bekuar. Ju nuk jeni asnjëherë vetëm, shteti dhe populli turk janë gjithmonë pranë jush”, tha ambasadori Yörük.

Kryetari i Fondacionit Alternativa e së Ardhmes (ALSAR), Mehdi Gurra, u shpreh se deri tani kanë bërë të mundur shpërndarjen e ndihmave për jetimët në disa qytete të Shqipërisë.

“Organizata jonë në muajin shenjtë të Ramazanit është angazhuar për të ndihmuar 7500 familje. Deri tani kemi bërë të mundur ndarjen e ndihmave për jetimët në qytetet Elbasan, Librazhd, Prrenjas, Pogradec, Bilisht, Korçë, Ersekë, Fushë-Krujë, Laç, Lezhë, Shkodër dhe Koplik. Në ditët në vijim do të jemi në qytetet e Bulqizës, Peshkopisë dhe Kukësit”, tha Gurra.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka ofruar gjithsej 3500 pako me ushqime për familjet në nevojë në Shqipëri, ndërsa në aktivitetin e sotëm janë shpërndarë rreth 1000 pako me ushqime, për fëmijët jetimë që mbështeten nga Fondacioni Alternativa e së Ardhmes (ALSAR).

Pjesë e aktivitetit ishin edhe koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Necip Özay Özütok, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, si dhe prindër të fëmijëve jetimë.

Exit mobile version