Në qytetin e Shkodrës është zhvilluar sot ceremonia për inaugurimin e monumentit të restauruar të Hasan Riza Pashës, ku restaurimi është mundësuar nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA), raporton Anadolu Agency (AA)
Në këtë ceremoni marrin pjesë, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, koordinatori i TIKA-s në Shqipëri, Eyüp Yavuz Ümütlü, nënkryetari Bashkisë së Shkodrës, Dritan Meta, ushtarakët e Nëndetëses Turke TCG I. İnönü, si dhe qytetarë të Shkodrës.
Ambasadori Bayraktar, gjatë fjalës së tij në ceremoni u shpreh se monumenti i Hasan Riza Pashës ka cilësinë e monumentit të vetëm të Turqisë për dëshmorët në Shqipëri.
“Prania e tij është krenari për ne. Përulemi përpara të gjithë të rënëve përfshirë këtu mbrojtësin Hasan Riza Pasha të cilët ranë për Shkodrën. Hasan Riza Pasha i cili në vitin 1911 ishte komandant i forcave të mbrojtjes së Shkodrës më 8 maj 1912 ka marrë detyrën e prefektit të këtij qyteti dhe ishte një atdhetar i flaktë. Pas fillimit të luftës ballkanike, Hasan Riza Pasha bashkë me ushtarët dhe popullin e këtij qyteti mbrojti popullin e Shkodrës nga sulmuesit serbo-malazezë. Në këtë kohë shumë vende kishin dalë nga drejtimi Osman, në këtë kontekst i janë dashur të ndëshen në shumë vende kundër armiqve.
Ai ndër të tjera shtoi se “Hasan Riza Pasha është kundërvënë dhe ka rezistuar për të mos dorëzuar Shkodrën armikut krah më krah me shqiptarët. Në këtë kohë në Shkodër mbizotëronte skamja dhe sëmundje të shumta. Predhat e armikut binin mbi Shkodër dhe ato bëheshin shkak për zjarre dhe shpërthime në qytet. Megjithatë Hasan Riza Pasha vazhdoi qëndresën e tij kundër armiqve. Mbrojta e Shkodrës vazhdoi edhe në muajt e dimrit edhe pse në vështirësi të panumërta. Armiku i cili nuk mundi të thyej këtë mbrojtje përmes bashkëpunëtorëve i kreu një atentat Hasan Riza Pashës dhe edhe në momentet e fundit ai i ka kërkuar të gjithë atyre që e vizitonin të plagosur, që të mos e lëshojnë Shkodrën me asnjë çmim.”
Ndërsa duke thënë se ai humbi jetën mijëra kilometra larg vendlindjes së tij si një bir shkodre, Ambasadori Bayraktar në vijim tha se ai tashmë është padyshim simbol i miqësisë Turqi-Shqipëri.
Ambasadori tha se ashtu sikurse Hasan Riza Pasha luftonte kundër tradhëtarëve atëherë, Turqia sot lufton kundër tradhëtarëve të organizatës terroriste FETO. Ai shtoi më tej se pret nga populli dhe autoritetet shqiptare të jenë pranë Turqisë në luftën kundër FETO-s.
Koordinatori i TIKA-s në Shqipëri, Eyüp Yavuz Ümütlü, theksoi se si përfaqësues të TIKA-s janë shumë krenarë për pjesëmarrjen në një aktivitet të tillë.
“Ne kemi realizuar me qindra projekte në Shqipëri dhe dua të them që këto projekte i kemi bërë vetëm me një qëllim të caktuar, forcimin e zemrave tona. Në këtë kontekst mendoj që lapidari i Hasan Riza Pashës do të jetë një urë lidhëse shumë e rëndësishme. Këtë mund ta kuptojmë lehte në luftën që Hasan Riza Pasha ka zhvilluar. Ai bashkë me ushtarët e tij trima faktikisht nuk mbrojtën vetëm Shkodrën, por ata ishin ushtarë trima që mbrojtën kulturën, vlerat dhe traditat. Ndërsa ata që luftonin kundër tyre ishin ata që luftonin kundër vlerave dhe kulturës. Ka edhe sot nga ata që luftojnë kundër këtyre vlerave dhe këto njerëz janë kundër vlerave të vërteta. Maska e organizatës FETO në Turqi ra, shpresoj që edhe vëllezërit tanë në Shqipëri të kuptojnë plotësisht qëllimet e tyre”, shtoi ndër të tjera Ümütlü.
Ndërsa nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës, Dritan Meta, u shpreh në ceremoni se sot është një ditë e veçantë për Shkodrën, me inaugurimin e monumentit të restauruar të Hasan Riza Pashës. “Ne përkujtojmë sot një nga mbrojtësit më të shquar të qytetit që edhe sot ngjall emocion, mirënjohje dhe respekt për kontributin që dha për mbrojtjen e qytetit tonë nga pushtuesit serbo-malazezë. Hasan Riza Pasha dhe shumë figura të tjera kanë shërbyer si ura të natyrshme lidhëse mes popullit turk dhe popullit shqiptar. Sot konstatojmë me kënaqësi që bashkëpunimi ynë shtrihet në shumë fusha, si në arsim, turizëm, zhvillim ekonomik, sport, etj”, theksoi Meta