Në kuadër të projektit “Përkrahja e Prodhuesve të Qumështit në Komunën e Prishtinës” Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) shpërndau makina për mjelje dhe bidonë të aluminit në fshatin Grashticë, të Komunës së Prishtinës në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Me qëllim të mbështetjes së sektorit të qumështit për secilën familje e cila ka mbi 3 lopë qumështore TIKA mbështetë 70 prodhues të qumështit nga fshatrat e Komunës së Prishtinës me 70 makina për mjelje dhe 210 bidonë (secilës familje nga 3 bidonë 30 litërshe) të aluminit për transportin e qumështit.
Kryetari i Komunës së Prishitnën, Shpend Ahmeti gjatë fjalës së tij duke theksuar se është i kënaqur që ky projekt ka të bëjë me zhvillimin tha se Prishtinës i duhet një ekonomi e qëndrueshme për ta zbutur papunësinë.
Ai duke falënderuar shtetin turk dhe TIKA-n në emër të ambasadores tha se: “Shpresojmë që në të ardhmen të kemi sa më shumë projekte të tilla të bashkëpunimit për të forcuar edhe më tutje bashkëpunimin dhe miqësinë që kemi me shtetin turk”, tha Ahmeti.
Ahmeti duke theksuar se një makinë mjelëse është shumë domethënëse për një familje se ndonjë ndihmë tjetër tha se nuk ka ditë më të mirë për një kryetar se kur pranon ndihma e projekte të tilla për qytetarët e vet.
Ndërsa, ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç tha se sot me anë të këtij projekti të TIKA-s janë duke e përkrahur ekonominë e Kosovës dhe ekonomitë familjare të prishtinasve.
“Ju lutem që ta pranoni këtë si një dhuratë nga Turqia në shenjë të miqësisë dhe vëllazërisë në mes të popujve tanë”, tha Kılıç.
Kılıç po ashtu theksoi se TIKA me projektet e realizuara këtu në Kosovë, në shtetet e tjera të Ballkanit dhe anembanë botës bën që shteti turk dhe qytetarët e Turqisë të ndihen krenarë.
Ajo duke nënvizuar se në Kosovë së bashku me TIKA-n kanë realizuar mbi 600 projekte në sektorë të ndryshëm si në arsim, shëndetësi, bujqësi, blegtori, aktivitetet e rastaurimit, aktivitetet për zhvillimin e grave në biznes, tha se “TIKA me projektet e saj të realizuara në shumë shtete të botës është duke i forcuar urat e miqësisë në mes të popujve dhe shteteve mike”.
Kurse, Zoja Halimi- Haliti nga fshati Ballaban i Prishtinës e cila është njëra nga përfitueset e ndihmës së TIKA-s duke e falënderuar TIKA-n dhe shtetin turk tha se “Bujqësia është inputi kryesor në një ekonomi të zhvilluar. Besoj se do të zgjasin përkrahjet edhe në të ardhmen”.