Një ditë pas konfirmimit të organizimit të përbashkët të Evropianit U21 të vitit 2027 mes Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe asaj të Serbisë, ka ardhur edhe reagimi i tifogrupit “Tifozat Kuq e Zi”.
UEFA, të enjten bëri të ditur se është mbyllur aplikimi për organizimin e kësaj ngjarjeje, ndërsa vetëm kandidatura e përbashkët e FSHF-së dhe federatës serbe ishte e kompletuar.
Në reagimin e tyre të ashpër, tifogrupi më i madh shqiptar, një organizim të tillë e kanë quajtur të turpshëm.
Sipas tyre, ky organizim nuk mund të quhet i Shqipërisë dhe FSHF-ja nuk mund të flasë në emër të shqiptarëve dhe Shqipërisë.
“Organizimi i kampionatit europian për moshat U21, nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe shkijeve është akti më i turpshëm që bëhet në emër të tifozëve shqiptar dhe opinionin futbolldashës të Kombëtares Shqiptare të futbollit”, ka shhkruar tifogrupi. “Nuk mjaftuan as qindra mijëra viktima shqiptare, gjenocidi e masakra nga ana e shkijeve. Gjithashtu nuk mjaftoi as nata e 14 tetorit kur Kombëtarja Shqiptare u gjend në një ambient terrori, e ku u bë thirrje ‘vrisni shqiptarët’e ku lojtarët shqiptarë u rrahën e u fyen, madje edhe ju rrezikua jeta e tyre”.
Sipas tifogrupit, “nesër do të jetë vonë, kur thirrjet tuaja do të bëhen përgjëruese ndaj përkrahësve të Kombëtares dhe sportdashësve, për t’i ulë gjakrat e tensionin dhe për të kërkuar kompromis e partneritet”