Ishin fantastikë në ndeshjen me Maqedoninë, duke kënduar papushim në Strumicë.
Edhe pse të paktë në numër, në stadium dëgjohej vetëm shqip nga “Tifozat Kuq e Zi”, aq sa thirrjet e tyre dëgjoheshin edhe në qytezë. Futbollistët kuqezi u përulën në shenjë respekti në fundin e ndeshjes.
Megjithatë, duket se “Tifozat Kuqezi” do të mungojnë sërish në ndeshjen brenda. Edhe pse me Italinë luhet në Shkodër, grupimi lajmëron prezencën për ndeshjen me Spanjën. Kështu, vijon bojkoti i “Tifozave Kuq e Zi” për ndeshjet brenda, ndërsa nga FSHF nuk ka asnjë sinjal afrimi.
“Të dashur tifozë, pas transfertës në FYROM, TKZ do vazhdojë rrugëtimin e saj drejt Spanjës në mbështetjen e pakushtëzuar ndaj Kombëtares tonë. Për këtë arsye, ju njoftojmë që kemi filluar rezervimet për këtë ndeshje. Për më shumë informacione nxitoni të kontaktoni përfaqësuesin e rrethit apo shtetit ku jetoni. Afati i fundit për rezervim: 28 Shtator! Ndeshja luhet më 6 tetor 2017, nga ora 20.45 në stadiumin ‘Estadio Jose Rico Perez’, Alicante. E përjetshme është Shqipëria!”, shkruhet në postimin e grupimit.