Nuk do më besosh nëse të them se ti bën një jetë shumë herë më luksoze sesa perandori i Persisë, Çezari i Romës, Faraoni i Egjiptit etj… por kjo është e vërteta.
Faraoni i Egjiptit, për transport, nuk kishte më shumë sesa një karro që e tërhiqnin kuajtë… Kurse ti sot ke makinën tënde private, mund të udhëtosh me tren dhe të fluturosh me aeroplan!
Perandori pers e ndriçonte pallatin e tij madhështor me qirinj dhe kandila me vaj, kurse ti e ndriçon shtëpinë tënde me energji elektrike.
Çezari i Romës pinte ujë në bucela dhe gjatë udhëtimeve e mbarte ujin në kacek. Sakaq, ti pi ujë të freskët nga rubineti dhe të ftohtë nga frigoriferi.
Kalifi Harun Reshid, maksimumi kishte një grup muzikor të cilët i bënin aheng në kohën e lirë dhe të relaksit. Sakaq, ti ke në dorë çelësin e radios, telekomandën e televizorit etj… të cilat të ofrojnë muzikë dhe këngë nga më të arriturat.
Perandori Guillaume kishte një teatër me kukulla druri me të cilat e dëfrenin, kurse ti sot ke kinema e televizorë që të ofrojnë gjithçka që kërkon.
Luigji i katërmbëdhjetë kishte një kuzhinier që i gatuante ushqimet më të shijshme franceze, kurse ti sot të mjafton të zbresësh në katin e parë dhe të dalin para syve kushina franceze, italiane, kineze, gjermane, japoneze… me ushqime që as në mendje nuk të shkojnë.
Karuni, një nga më të pasurit në historinë e lashtë, pasurinë e tij sot mund ta fitosh brenda një muaji të vetëm.
Freskueset me pupla struci me të cilat u bëhej fresk mbretërve dhe perandorëve në pikun e zhegut të verës, sot nuk kanë asnjë vlerë pasi ti sot freskohesh me kondicionerë të cilët e kanë shndërruar shtëpinë tënde në parajsë, falë një shtypje të butonit magjik.
Ti je perandor!
Të gjithë perandorët e lartpërmendur janë minj e insekte krahasuar me ty.
Por, mesa duket jemi perandorë kokëboshë… prandaj dhe jemi kaq të përvuajtur pavarësisht luksit në të cilin jetojmë.
Ai që ka një makinë dhe nuk e shijon, mesa duket i hap sytë nga miku i tij që ka dy.
Kush ka dy makina dhe qaravitet e ankohet se nuk ka, mesa duket i mban sytë nga fqinji i tij që ka avion privat.
Kush ka avion privat, plas nga inati që nuk ka akoma një aerodrom si filani.
Kush ka një grua të bukur, e injoron dhe zgurdullon sytë nga gruaja e fqinjit.
Në fund, vjedhim dhe vrasim njëri-tjetrin.
Hedhim bomba atomike mbi gjithë këtë luks… i vëmë flakën napalmit në shtëpitë tona…
Studentët dëmtojnë universitetet, e punëtorët prishin fabrikat. Mandej qaravitemi e ankohemi për mungesën e drejtësisë sociale…
Është urrejtja dhe jo drejtësia, motivi i vërtetë që qëndron pas luftrave.
Sado që jetojnë në jetë luksi të paimagjinueshëm, individët do të vrasin njëri-tjetrin, sepse asnjëri nuk sheh dhe vlerëson ato që ka në dorë, por zgurdullon sytë tek ato që ka tjetri.
Nëse rroga jote është dyfishuar, do të hapësh sytë nga rroga e atij tjetrit që është trefishuar, do të revoltohesh dhe të protestosh, do e harxhosh gjithë rrogën tënde për të blerë pistoletë.
Jemi bërë perandorë vërtetë, por vazhdojmë të mendojmë me instinktin e kafshëve.
Jemi zhvilluar si qytete, por jemi prapambetur si qytetërim.
Bëmë proekopi në cilësinë e jetës, por çaluam në dashuri.
Ti je perandor…
Kjo është e vërtetë… por je perandori më i përvuajtur.
Ti vret veten dhe lë një letër qesharake në të cilën shkruan:
U vetvrava për shkak të varfërisë… Nuk munda të jetoj si perandor në botën e mbushur me super perandorë!!!
Autor: Dr. Mustafa Mahmud (r.a)
Përktheu: Elmaz Fida